E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të superstresuar, 41% e shqiptarëve

 

Stresi dhe depresioni janë problemet më të përhapura të shëndetit mendor në Shqipëri. Studimi i fundit i realizuar nga Qendra e Zhvillimit të Shëndetit Mendor, tregoi se 41 % e shqiptarëve janë tepër të stresuar, nga depresioni vuajnë rreth 30% e tyre. Sipas studimit, shkaku kryesor për shfaqjen e probleme të shëndetit mendor janë ato ekonomike dhe papunësia, në masën 66%, dhe problemet familjare dhe sociale, në 11% të rasteve. Një pjesë e mirë e personave që vuajnë nga këto probleme e kanë të domosdoshëm trajtimin nga specialistët. Aktualisht, vendi ynë ka spitale psikiatrike, të përqendruara në rrethet Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, me një total prej 840 të shtruar, në një kohë kur vendet e tjera kanë përparuar mjaft lidhur me shtrirjen e shërbimeve komunitare, të cilat janë provuar se ofrojnë një cilësi më të mirë shërbimi dhe jete. Në kuadër të përmirësimit të shërbimit mjekësor, për pacientët me probleme të shëndetit mendor, ka përfunduar “Dokumenti politik dhe plan veprimi për zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Shqipëri”. Ministria e Shëndetësisë, në zbatimin e reformës në sistemin e shëndetit mendor, është e orientuar drejt ngritjes dhe zhvillimit të një sistemi të balancuar, me synim afatgjatë fuqizimin dhe shtrirjen e rrjetit të strukturave komunitare, ofrimit të shërbimeve nga ekipe multidisiplinare nëpërmjet futjes së figurave të reja profesionale, punonjës socialë e psikologë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›