E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkotohet mësimi në Liceun Artistik, mësuesit prej dy muajsh pa rroga

Mësuesit e Liceut Artistik në Tiranë kanë vendosur dje njëzëri bojkotimin e mësimit deri në shlyerjen e detyrimeve që ky institucion ka ndaj tyre. Ata janë shprehur se prej dy muajsh nuk kanë marrë pagat, duke cilësuar si fajtor për situatën e krijuar ish-drejtorin e shkollës. Liceu Artistik është institucion i vetëmenaxhuar, e si pasojë, pagat jepen në bazë të fondit të veçantë që i jepet drejtorisë së kësaj shkolle. Mësuesit deklaruan se nuk do të rikthehen në mësim në rast se nuk u jepen pagat, ndërkohë që kanë kërkuar mbështetjen e Drejtorisë Arsimore të Qytetit të Tiranës, si edhe zgjidhjen e problemit nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

Bojkoti

“Të gjithë ne mësuesit e Liceut kemi vendosur unanimisht të bojkotojnë mësimin në formë proteste, derisa Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit të japin një zgjidhje për problemin e pagave të pamarra”, – deklaruan dje protestuesit, duke shtuar se një prej shkaktarëve të situatës është ish-drejtori i shkollës, i cili, sipas tyre, ka abuzuar me fondet e Liceut, duke i përdorur për çështje të tjera.

“Akoma edhe kostume janë blerë me fondet e shkollës dhe nga ana tjetër nuk ekziston më fondi për pagat e punonjësve, – u shprehën ata, – duhet që të shihet jo vetëm mënyra e zgjidhjes së problemit, por edhe se kush janë fajtorët”. Ndërkohë, kanë kërkuar një zgjidhje sa më të shpejtë për problemin e krijuar, qoftë nga Drejtoria e Arsimit në kryeqytet, që është në varësinë Ministrisë së Arsimit apo nga Ministria e Financave.

Liceu

Por kjo nuk ishte ankesa e parë e mësuesve për situatën e krijuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Një vit më parë, mësuesit e Liceut i kishin kërkuar ministrit të atëhershëm të Arsimit, z. Genc Pollo, më shumë mbështetje për këtë institucion. Ndonëse ata i kishin deklaruar se Liceu nuk kishte fondet minimale që do t`i lejonin vazhdimin normal të punës, nuk morën asnjë përgjigje nga ministria. Në qershor të vitit 2007, në konferencën e katër të arsimit të organizuar nga Banka Botërore, një mësues i Liceut i kishte kërkuar z. Pollo që të zhbllokonte ngërçin që MASH-i shfaqte kundrejt Liceut Artistik. Sipas tij, MASH-i e kishte neglizhuar Liceun, duke mos i dhënë asnjë qindarkë për të plotësuar nevojat. Por ministri Pollo nga ana e tij, i ishte përgjigjur se do i vijë radha edhe Liceut Artistik. Ndërkohë i ka thënë se "është dhe përgjegjësia juaj që nuk jeni angazhuar për të lidhur binjakëzime me licetë e vendeve të rajonit". Dje, mësuesit u shprehën sërish se nuk ekzistonin fondet dhe kontrolli i mjaftueshëm, duke ia hedhur topin edhe një herë në fushë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, por ende nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›