Lala kthehet në çështje tifozët duan të rinovojë
GJERMANI- Rasti i tij është i rrallë në futbollin modern. Altin Lala është 35 vjeç dhe në perëndim të karrierës, ndërsa një gjë të tillë e tregojnë edhe minutat e pakta të aktivizimit me Hanoverin në Bundesligë. Por, forma e treguar nga mesfushori i kombëtares shqiptare në ndeshjen me Fraiburgun ditën e enjte (Hanoveri fitoi 3-1), ka bërë që ai të kthehet në një çështje. Lala e nisi takimin si titullar dhe përveç lojës së mirë në mbrojtje, ishte autor edhe për asistin e golit të dytë, të shënuar nga Shlaudraf. Trajneri Mirko Slomka nuk mund të kërkonte më shumë nga një rezervë, ndërsa “xhuxhi” shqiptar ishte sërish në një formë të mrekullueshme. Në klubin e Hanoverit tashmë ka plasur një debat në lidhje me rinovimin. “Kjo ndeshje do të mbetet në memorjen e Lalës”, shkruajnë mediat gjermane. “Do të kemi kohë të diskutojmë për këtë”, tha drejtori teknik i Hanoverit. Tifozët ndërkohë kanë brohoritur gjatë gjithë kohës: “Lalalalala”, një shenjë që ata e duan ende shqiptarin në skuadër.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)