Triumfon polakja
Shfaqja polake “PentheMurder”, e aktores Jolanta Juszkiewicz, fitoi çmimin e madh të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë, “MonoAKT”, i cili u përmbyll të premten mbrëma, në Pejë.
Gjatë një jave u shfaqën dhe u bashkëndjenë histori dhe rrëfime të ndryshme, të trajtuara në gjininë më komplekse të artit skenik, monodramën, në kuadër të edicionit të tretë të festivalit.
I nisur më 17 prill, ceremonia e ndarjes së çmimeve kurorëzoi dhe shpërbleu punën e aktorëve dhe regjisorëve vendorë e ndërkombëtarë.
Para ndarjes së çmimeve, u shfaq monodrama “Vetëvrasja e luleve” nga Shqipëria, e aktorit Dhimitër Orgocka. Ndërkaq, para fillimit të ndarjes së çmimeve, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, tha se festivale të tilla, të cilat bëjnë prurje kaq profesionale, aq më shumë kur “MonoAKT” tashmë është e anëtarësuar në një asociacion të njohur ndërkombëtarisht, gjithmonë do ta kenë mbështetjen e ministrisë.
Aktori më i mirë i festivalit u shpall Ismet Azemi, me shfaqjen “Mos harroni”.
Çmimi për monostripin më të mirë, për të cilin garuan 11 aktorë të rinj, iu dha Muhamet Zekës, çmimi special monodramës “Vetëvrasja e luleve”, ndërsa çmimi i mediave i takoi “Laokontit” nga Kosova, të regjisorit Sokol Plakolli, me aktor Selman Lokajn.
“Jam ndjerë shumë mirë në këtë festival. Nga këtu nuk po shkoj duarthatë, ngase kam marrë shumë nga ju - miqësinë dhe sinqeritetin e jashtëzakonshëm”, tha polakja Juszkiewicz.
Ajo tha, po ashtu, se ne vendin e saj të lindjes, në Australi, gjatë luftës së Kosovës ka takuar shumë shqiptarë. “Jam ndjerë keq për fatin e tyre, ndërsa tash po ndihem shumë mirë, që po takohemi në një rrethanë tjetër, duke na bashkuar arti”, tha ajo.
Mentor Zymberaj, themeluesi dhe drejtuesi i festivalit, tha se që tani është duku u punuar për zgjerimin e festivalit dhe se në edicionin e katërt, përveç “MonoAktit” dhe minifestivalit “Monostrip”, festivali do ta ketë edhe një pjesë tjetër - “MonoAKT-plus”.
Të premten mbrëma u ndanë edhe dy çmime të tjera. Çmimi Anëtar Nderi i festivalit iu dha kryetarit të Komunës së Pejës, Ali Berisha, kurse Çmimi për Vepër Jetësore regjisorit Ekrem Kryeziu.