Boko Haram ka masakruar 20 femra

Mediat ndërkombëtare raportojnë se gratë janë ekzekutuar, sepse vishnin minifunde dhe pantallona.
Sipas së përditshmes nigeriane “Vanguard”, vrasjet kanë ndodhur pak pas mesnatës mes së enjtes dhe së premtes, në disa banesa që ndodheshin pranë universitetit ku ndodhen shumë studentë. Viktimat jetonin në zona, që prej kohësh janë kthyer në teatër të atentateve dhe vrasjeve.
Pas përhapjes së lajmit, ushtria nigeriane ka sqaruar se trupat e vajzave ishin masakruar dhe ngjarja është cilësuar “kasaphanë”.
Në një komunikatë për publikun, ushtria nigeriane ka lajmëruar se ofron një dëmshpërblim prej 1,8 milionë dollarë për këdo që ofron informacione të vlefshme, që mund të çojnë në arrestimin e liderëve të grupit Boko Haram, përgjegjës për vrasjen e rreth 3000 personave që nga viti 2009. Në deklaratë shpjegohej se major koloneli i ushtrisë, Sagir Musa, ofron 312.500 dollarë për kokën e liderit të grupit, Abubakar Shekau.
Ndërsa për katër anëtarët e tjerë të rëndësishëm të grupit ofrohet rreth 156 mijë dollarë për secilin prej tyre, ndërsa për 14 “komandantët” e tjerë të Boko Haram, të cilëve iu atribuohen edhe atentatet e kryera në objektet e kultit të krishterë, shifra e ofruar është rreth 62.500 dollarë.