Katalonia si Kosova?

Nacionalistët katalanas janë të vendosur që të mbajnë së shpejti një referendum, me sondazhet që tregojnë se në krahinën me kryeqendër Barcelonën ka një mbështetje të fuqishme pro-pavarësisë.
Sondazhet paraprake gjithashtu tregojnë se partitë që mbështesin pavarësinë do të fitojnë me dallim të madh.
Një referendum nuk do të siguronte automatikisht shpalljen shtet sovran dhe i pavarur pa një marrëveshje të mëparshme me Spanjën, por besohet se katalanasit mund të përdorin precedentin e Kosovës, për të shpallur në mënyrë të “njëanshme” pavarësinë.
Këto zgjedhje mbahen në mënyrë të parakohshme, pasi kryeministri i autoritet autonom të Katalonisë, Artur Mas, shpërbeu qeverinë për shkak të pamundësisë për të miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm.
Kriza ekonomike, e cila ka goditur veçanërisht Spanjën, duket se ka forcuar në muajt e fundit gjithmonë më shumë tendencat separatiste të disa krahinave spanjolle, të cilat kërkojnë t’i shpëtojnë tatimeve të rënda dhe papunësisë së lartë të vendit.
Megjithatë, për Madrin zyrtar, kriza ekonomike po përdoret vetëm si një justifikim nga nacionalistët katalanas, një formë trysnie për të fituar lëshime dhe financime të mëtejshme nga shteti spanjoll.
Një shtet i përbërë nga 18 krahina, Spanja duhet të përballojë disa lëvizje separatiste në vend, me më të fuqishmet prej tyre ato në Kataloni dhe krahinën baske, por gjithashtu edhe në Galaci dhe Andaluzi.