FFK-ja fiku dritat e KF “Prishtina”

Nga Ejup LLUMNICA
Vendimi i Komisionit disiplinor të FFK-së, sipas të cilit KF "Prishtina" do t'i zhvillojë tri ndeshje pa praninë e shikuesve, ka bërë që kjo javë megjithatë të mos zgjojë shumë kureshtje te qytetarët e Prishtinës. Dihet se për momentin, Stadiumi i Prishtinës është i vetmi që mbledh numër të konsiderueshëm shikuesish, andaj mbyllja e dyerve për qytetarët e Prishtinës, e sidomos për adhuruesit e klubit "Prishtina", gjithsesi mund të vlerësohet si vendim i ngutshëm, pasi që dënimet në këtë rast kanë mundur të jenë individuale, e në asnjë mënyrë të "izolohen" të gjithë qytetarët e Prishtinës. Vendosja e shkallëve dhe e reflektorëve në Stadiumin e Prishtinës këtë edicion vërtetë ka bërë që ky tempull t'u ngjajë stadiumeve evropiane. Kjo sikur ka shtyrë edhe më shumë adhuruesit e futbollit ta vizitojnë këtë stadium, ku atmosfera vërtet ishte e shkëlqyeshme dhe se të tillat bëheshin për herë të parë në futbollin tonë. Krejt kjo u bë falë punës së kryetarit të këtij klubi, Remzi Ejupi, dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nga ana e tij, Ejupi në deklaratat e tij gjithmonë ka qenë modest dhe asnjëherë nuk është deklaruar se kjo është meritë e tij apo e ndonjë tjetri. Sido që të jetë, vendimi është ky dhe kjo ka bërë që edhe drejtuesit e Prishtinës për një kohë t'i fikin reflektorët e tyre dhe adhuruesit futbollit nga kryeqyteti prapë duhet t'u kthehen ekraneve televizive për t'i përcjellë ndeshjet ndërkombëtare. Për këtë, dy televizionet tona (RTK dhe KTV) duhen t'u jenë mirënjohëse FFK-së, pasi një vendim i saj bëri që përsëri tifozët nga kryeqyteti t'u kthehen ndeshjeve ndërkombëtare. "Vendimi që ndeshjet t'i zhvillojmë pa praninë e shikuesve na ka shtyrë të vendosim që ndeshjen kundër Ferizajt ta zhvillojmë nga ora 14:00. Kjo në njëfarë formë na i ka zvogëluar harxhimet, pasi që ndeshja do të zhvillohet pa reflektorë", tha drejtori i KF "Prishtina", Arbnor Morina. Megjithëse Prishtina ka paralajmëruar se do të ankohet në shkallën e dytë, një gjë e tillë ende nuk është bërë. "Gjithsesi, ne do të ankohemi. Këtë do ta bëjnë juristët tanë dhe do të shohim cfarë do të ndodhë. Dënimet e marra vërtetë janë të rënda", përfundoi Arbnor Morina, drejtor i KF "Prishtina", skuadrës fituese të Superkupës së Kosovës për edicionin e kaluar.