Boksieri Jetmir Kuçi në çerekfinale
Përveç peshëngritjes, dita e tretë e Lojërave XVI Mesdhetare ka regjistruar paraqitje të tjera deri diku pozitive për Shqipërinë. Boksi, kanotazhi dhe noti kanë rikuperuar disi në konkurrime. Në këtë mënyrë, boksieri Jetmir Kuçi, i cili ka garuar në peshën 69 kg, është kualifikuar në çerekfinale. Ai fitoi në tri raunde, me rezultatin 8:2, përballë francezit Adrian Vastin. Jo kaq entuziazmuese paraqitja e Sulejman Dashit në peshën 69 kg, i cili është eliminuar nga tuniziani Elmekaçari. Emocione në debutimin e Kombëtares së volejbollit për femra, në Grupin A. Sfida e djeshme, ajo kundër Bosnjë-Hercegovinës, ka dhuruar shumë emocione dhe është vendosur vetëm në sekondat e fundit. Vajzat kuqezi të rrjetës u mposhtën vetëm në setin e pestë, me rezultatin 3:2. Boshnjaket dominuan në setin e parë dhe setin e tretë, por përfaqësuesja jonë ka barazuar në dy raste, në setet 2 dhe 4. Gjithsesi, skuadra e Hasan Gurabardhit ka humbur në setin final me rezultatin 11:15, duke regjistruar humbjen e parë. Notari Sidni Hoxha ka fituar Baterinë 1 në 50 metra stil i lirë. Koha e regjistruar nga notari shqiptar ishte 23.57, ndërsa ndjekësi i tij më i afërt, Faruk Omar Ben Zhedi, mbërriti afro 9 të dhjetat më vonë se kuqeziu. Konkurrenca në këtë garë ka qenë mjaft e fortë, edhe sepse në njërën prej baterive ka garuar edhe francezi Frederik Busket, i cili është mbajtësi i rekordit botëror, me kohën 20.94. Pavarësisht fitores, koha e regjistruar nga Hoxha nuk mjaftoi që ai të futej mes tetë finalistëve. Ndërkohë, kanë zhgënjyer Endi Babi dhe Eros Qama, të cilët konkurruan në 100 metra stil flutur. Edhe pse është një sport i ri për vendin tonë, kanotazhi ka sjellë rezultatin e parë pozitiv në "Peskara 2009". Pasi nuk arritën të kualifikoheshin në finalen "A", dyshja kuqezi, e përbërë nga Edi Theka dhe Andi Çuko, ka garuar në finalen "B" për distancën 2000 metra. Ata e fituan këtë garë, ku vozitnin vetëm kundër Libisë, me kohën 7:21:76 minuta. Tjetër dështim për pingpongun në sfidat ekipore me Malin e Zi (meshkuj) dhe Algjerinë (femra). Mundësi Klodian Terziu është eliminuar nga greku Pilavidis në kategorinë 60 kg, ndërsa dyshja e qitjes, Çuni dhe Stafa, nuk janë futur në garë.