E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e politikës hedhin votën: Merrni pjesë në votim

Krerët më të lartë të shtetit ju drejtuan kutive të votimit në orët e para të ditës, duke dhënë mesazhet e tyre për opinionin publik. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga bashkëshortja Teuta dhe dy vajzat e tij, ka votuar në qendrën e votimit të njësisë bashkiake nr.9, që ndodhej në shkollën 9-vjeçare "Servete Maçi". Gjatë fjalës së tij, Presidenti Topi është shprehur se "e kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme dhe sot po e ripërsërisim, madje do të thosha që është momenti më sinjifikativ për ta ripërsëritur, që këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, janë zgjedhje të cilat do t‘i japin patjetër, në mënyrë definitive, Shqipërisë rrugën për në BE".

Kreu i shtetit u ka kërkuar të gjithë shqiptarëve që ta vlerësojnë këtë ditë të rëndësishme si një stad të ri të rëndësishëm të demokracisë dhe të gjithë duhet të marrin pjesë në votime. Duke iu drejtuar partive politike dhe komisionerëve, Topi tha se "u bëj apel të gjitha partive politike që ta kalojnë këtë ditë me mesazhet e duhura. U bëj thirrje komisionerëve, simpatizantëve, që të ushtrojnë të drejtën e votës". Sipas Topit, ne duhet të demonstrojmë sot se jemi një vend që kemi arritur në një stad të rëndësishëm të demokracisë, që dëshirojmë ta konsolidojmë demokracinë dhe të kemi mundësi pas këtyre zgjedhjeve që, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, rruga drejt Bashkimit Europian të jetë një rrugë e hapur, njerëzit të lëvizin të lirë dhe shumë shpejt patjetër do të jemi pjesë edhe zyrtarisht e familjes së madhe europiane. Kryeministri Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten e tij, Liri, ka votuar në qendrën e votimit numër 1728, të njësisë bashkiake nr. 2 të kryeqytetit, e vendosur te Liceu Artistik. Pas votimit, edhe kreu i qeverisë ka bërë komentin e tij, duke u shprehur: "Përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë në këtë ditë, në të cilën ata takojnë dhe vendosin fatin e tyre. U jap përshëndetjet më të përzemërta dhe thirrja ime është që të marrin pjesë masivisht në këto votime. I ftoj të shkojnë në qendrat e votimit familjarisht, por të votojnë individualisht". Gjithashtu Berisha ka përshëndetur edhe vëzhguesit e huaj, si dhe emigrantët të cilët kanë ardhur në Shqipëri për të votuar. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka votuar së bashku me familjen e tij: nënën, djalin, vëllain dhe bashkëshorten e vëllait, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën "Pjetër Budi". "U bëj thirrje të gjithëve të votojnë. Vota është në raste të caktuara mundësia për të bërë histori dhe sot, secili mund të bëjë histori duke votuar. U bëj thirrje të gjithëve ta bëjnë këtë qetësisht dhe paqësisht. Ne jemi sot në sytë e të gjithë botës që na vështron, jemi sot në sytë e të gjithë partnerëve dhe miqve tanë të paçmuar ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar bujarisht në rrugëtimin tonë të vështirë, dhe që sot kërkojnë e meritojnë nga ne një shprehje të maturisë dhe të vullnetit tonë për t‘u bërë pjesë integrale e atij Bashkimi Europian, ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakushti i gjithçkaje tjetër", tha Rama. Kryetari i LSI-së ka votuar në qendrën e votimit 1886, në njësinë bashkiake nr.7. "Jua kam thënë edhe më parë, që është një ditë e mbarë 28 qershori. Shikoni si u çel edhe koha pas një dite me shi. Ndaj le të kontribuojmë të gjithë për mbarësinë e kësaj dite. Është Koha për Veprim", tha Meta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›