E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qerimaj, ar e argjend dhe dy rekorde në "Peskara 2009"

Erkand Qerimaj shkëlqen edhe në Lojërat Mesdhetare "Peskara 2009", që po mbahen në Itali që nga 26 qershori deri më 5 korrik. 21-vjeçari shkodran rikonfirmohet si një ndër peshëngritësit më të mirë të peshës 77 kg, kur edhe dje fitoi një medalje ari në shkëputje, një medalje argjendi në shtytje dhe vendosi dy rekord të reja për Lojërat Ndërkombëtare. Kampioni shqiptar është ngjitur në pedanë në provën e parë të shkëputjes, duke ngritur 147 kg. Dy rivalët e tij, turku Semih Jagçi dhe egjiptiani Tarek Abdelazim, e nisën mirë provën e parë, përkatësisht me 150 dhe 151 kg. Qerimaj ngjitet sërish në pedanë dhe kalon me sukses peshën 152 kg, ndërsa turku ngriti 154, egjiptiani 155. Në provën e tretë talenti shqiptar triumfoi me ngritjen e 156 kg, ndërsa dy rivalët e tij dështuan në tentativën për të ngritur 157 kg. Me peshën e ngritur, Qerimaj siguroi medaljen e arit në stilin e shkëputjes dhe fiksoi kështu një rekord të ri për Lojërat Mesdhetare. Ndërsa në stilin e shtytjes, Qerimaj u rendit i dytë (medalje argjendi), duke ngritur 193 kg, po aq sa egjiptiani Ibrahim Abdelbaki i vendit të parë, por humbi vetëm medaljen e artë për shkak të peshës së tij trupore më të rëndë (200 gramë) se rivali. Rezultati i tre provave të Qerimajt ishte 182, 188, 193. I treti në këtë stil u pozicionua egjiptiani Tarek Abdelazim. Me peshën prej 193 kg, Qerimaj dhe egjiptiani Abdelbaki ndajnë së bashku meritën për vendosjen e një tjetër rekordi të ri në stilin e shtytjes në Lojërat Mesdhetare. Një sukses i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në këtë fillim të Lojërave Mesdhetare "Peskara 2009", ku e gjithë merita i përket peshëngritjes, e cila ka koleksionuar të pesë medaljet e deritanishme (2 ari dhe 3 argjendi). Deri para konkurrimit të djeshëm, rezultati më i mirë i Qerimajt ishte 345 kg në dygarësh, por në "Peskara 2009" ai ka vendosur edhe një rekord personal duke ngritur 349 kg. Interesant është fakti se Qerimaj ka fituar në Europianin 2009 një medalje ari dhe një argjendi, duke ngritur 3 kg më pak se në aktivitetin e vitit 2008, kur me 345 kg ai nuk arriti më shumë se vendi i katërt. Në vitin 2002, sportisti 165 centimetra i gjatë u shpall kampion i trefishtë Europe në peshën 50 kg për U-17. Një vit më pas ai u përsërit me tre medalje ari në peshën 56 kg për U-17, ndërsa në vitin 2004 fitoi një medalje bronzi në Europianin 2004 në peshën 62 kg. Në vitin 2005, Qerimaj u shpall nënkampion Europe në kampionatin U-17 në peshën 69 kg dhe për të rinj. Ai mban edhe titujt si kampion bote në stilin e shtytjes dhe nënkampion në dygarësh në Kampionatin Botëror të të Rinjve të vitit 2006. Pas pesë medaljeve të fituara deri më tani, peshëngritja shqiptare do të ketë sot padite mundësinë e fundit për të arritur të tjera suksese. Do të jenë dy peshëngritësit tanë, Endri Haxhihyseni dhe Ervis Tabaku, të cilët do të konkurrojnë në kategorinë 85 kg. Dy sportistët tanë kanë një tjetër mundësi të mirë për ta shtuar më tej numrin e medaljeve në këto Lojëra Mesdhetare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›