Withers, Bosch dhe Topi: Votoni pa frikë
Mos keni frikë të votoni. Ky ishte mesazhi që dhanë dje krerët e misioneve ndërkombëtare të akredituar në Tiranë. Në orën 11:55, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Withers, ambasadori i OSBE-së Robert Bosch dhe Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi u takuan në ambientet e një restoranti në qendër të kryeqytetit. Ata konsumuan një kafe pune duke analizuar zhvillimet e deriatëhershme të procesit zgjedhor. Pas takimit që zgjati afro 30 minuta, tre personalitetet dhanë mesazhin e tyre për median dhe opinionin publik. "Sot duhet të jetë një ditë e bukur për demokracinë". Kështu u shpreh ambasadori amerikan, John Withers, pas takimit me Presidentin e vendit, Bamir Topi, dhe shefin e zyrës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Ambasadori kërkoi që çdo shqiptar të ushtrojë të drejtën e tij të votës, pasi nuk duhet të mendojë vetëm për veten, por edhe për të ardhmen e brezit të ri. "Njerëzit nuk duhet të shqetësohen apo të kenë frikë për votën. Nuk duhet të votojnë kolektivisht e familjarisht, por ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të fshehtë dhe individuale", kërkoi Withers. Po ashtu, kryediplomati amerikan kërkoi që qytetarët të tregohen të qetë dhe të presin me durim rezultatin zyrtar të votimeve. "Të gjitha partitë duhet të arrijnë standardet dhe të zbatojnë ligjin. Besoj fuqimisht se rëndësia e këtyre zgjedhjeve është se ato do të jenë të lira dhe transparente, si dhe të bazuara në dëshirën e njerëzve dhe jo në aspiratat e partive politike", u shpreh Withers. Sakaq, shefi i zyrës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, theksoi se nga raportimet e deritanishme, situata është e qetë. "Ne shpresojmë dhe besojmë që gjërat të vazhdojnë kështu, në mënyrë që të gjithë tashmë të kenë guximin dhe vendosmërinë për të votuar. Unë u kërkoj njerëzve që nuk kanë votuar, të dalin dhe të votojnë, ndërsa njerëzve që kanë aplikuar për karta, do t‘ju kujtoja se mund t‘i tërheqin kartat deri në 19:00 të mbrëmjes", deklaroi Bosch. Në fund të fjalës së tij, ai u kujtoi të gjithë shqiptarëve se kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë, prandaj, sipas tij, ata duhet të votojnë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se korrektësia në këto zgjedhje është vendimtare për të ardhmen e vendit tonë. Presidenti theksoi se partitë politike duhet të japin mesazhe për pjesëmarrje dhe për transparencë. "Unë besoj se këto zgjedhje do të jenë të lira, korrekte dhe administrimi i rezultatit do të jetë po ashtu korrekt", u shpreh Topi. Kreu i shtetit theksoi se sot shqiptarët duhet të tregojnë se dinë të administrojnë fatet e kombit. "Njerëzit duhet të votojnë për atë që dëshirojnë, të jenë të qetë, të lirë dhe të marrin pjesë në votim me qetësi", u shpreh Topi. Sakaq, ai kërkoi që zgjedhjet e 28 qershorit të bëjnë histori, duke rezultuar si të lira, të pakontestueshme dhe të drejta.