E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bolivia e parkoi autobusin

Argjentina ka zhgënjyer në ndeshjen e parë në Copa America, duke barazuar 1-1 me Bolivinë në Grupin A. Gauçosët ishin në disavantazh deri në minutën e 76-të, kur barazoi Sergio Aguero. Ylli Lionel Messi ankohet se Bolivia zhvilloi lojë defensive, por megjithatë i bënë thirrje ekipit të përmirësohet në ndeshjet e ardhshme. Nga Express më 03 korrik 2011 në ora 12:57

Lionel Messi ka shprehur dëshpërimin e tij, pasi nikoqiri Argjentina barazoi 1-1 me Bolivinë në ndeshjen e tyre të parë në Copa America në La Plata të shtunën.

La Verde kishte shokuar dy herë kampionin e botës duke e mposhtur 6-1 në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin botëror 2010 në Afrikën e Jugut, por ai takim ishte zhvilluar në lartësi mbidetare.

Këtu nuk kishte arsyetime dhe Edivaldo Rojas e kaloi Bolivinë në epërsi dhe hapi rrugë për fitoren e parë në fushën argjentinase pas 11 humbjeve, por Sergio Aguero shpëtoi një pikë duke barazuar rezultatin.

“Ata luanin shumë të tërhequr, e parkuan autobusin dhe ne nuk arritën të gjenim rrugë për të depërtuar”, tha Messi i cili pavarësisht shkëlqimit me Barcelonën dhe shënimit të mbi 50 golave në sezonin e kaluar, ende nuk është paraqitur në shkallë të njëjtë me fanellën Albiceleste.

“Nuk është ajo që kemi shpresuar dhe jemi të mërzitur. Tani e dimë se ndeshjet që na presin në grup (kundër Kolumbisë dhe Kosta Rikës) janë ato që duhet t’i fitojmë”, shtoi ai. Bolivia ishte e përcaktuar të mos konsiderohet si autsajder në Grupin A dhe ky barazim nënkupton se ata mbeten në garë për kualifikim. Ndërsa, Messi ka thënë se Argjentina duhet të regjistrojë pikë të plota.

“Ne duhet të shohim se çka kemi bërë mirë dhe të përmirësojmë atë që kemi bërë keq për t’iu kthyer fitoreve. Duhet të qëndrojmë të qetë. Nuk e kemi filluar ashtu siç kemi shpresuar, por tani thjesht duhet të përmirësojmë lojën tonë në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi Messi.

Argjentina synon të fitojë titullin e parë në Copa America pas vitit 1993. Por, ata nuk ishin në formën e tyre më të mirë në ndeshjen e parë kundër Bolivisë. Në 45 minutat e para, Argjentina kishte epërsinë në posedim, por edhe pse në letër ishte favorite absolute e udhëhequr nga Messi dhe Carlos Tevez, nikoqiri kishte mungesë të ideve.

Pas epërsisë së Bolivisë me golin nga Rojas në minutën e 48-të, Martins kishte rastin të dyfishonte epërsinë pas dhjetë minutave. Sulmuesi ishte i vetëm para golit, por nuk arriti të mposhtë Romeron duke hidhëruar selektorin Gustavo Quinteros.

Në minutën e 76-të, Angel di Maria harkoi në drejtim të zonës ku Lavezzi shërbeu me gjoks për Agueron, i cili shënoi një gol të bukur, por që vlente vetëm një pikë për Argjentinën. Gauçosët kanë ngritur rekord 14 tituj në Copa America së bashku me Uruguain, ndërsa Brazili e ka fituar garën tetë herë, përfshirë katër në pesë vitet e fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›