E Diel, 1 Nëntor 2026

Bolivi,"qan" statuja e Krishtit

Qindra besimtarë janë mbledhur në kishën e La Pazit në Bolivi të enjten pas lajmërimeve se statuja e Krishtit atje ishte duke nxjerrë lot. Gjatë meshës finale të Ditës së Tre Mbretërve, një anëtar i famullisë tha se lot po rridhnin nga sytë e statujës së Krishtit në kishë. Pastaj, lajmi u përhap tek njerëzit, të cilët ndezën qirinj dhe derdhën lot edhe ata vetë. Pjesëtarë të kishës thonë se është hera e tretë që statuja nxjerr lot. Njëra nga besimtaret, Eva Sandoval u shpreh se lotët ishin për Bolivinë, vendet e varfra të Amerikës së Jugut dhe për shqetësimet e vazhdueshme sociale. "Unë kam ardhur të shoh lotët e Zotit Tim, lotët e dhimbjes që kanë rënë mbi vendin tonë Bolivinë, e cila po vuan shumë", tha besimtarja. Por zyrtarët e kishës nuk kanë nxituar për t'i quajtur mrekulli lotët. Njëri nga priftërinjtë deklaroi për mediat lokale se mund të jetë një fenomen natyral, megjithëse një tjetër prift, Sandro Vega theksoi se për këtë ngjarje do të zhvillohen hetime. "Kjo është një cështje që do ta marrim në konsideratë. Ne po bëjmë hetimet përkatëse", tha Vega. Zyrtarët vendas janë shprehur se lotët e para janë shfaqur gjatë Krishtlindjeve të vitit 2007 dhe kjo është përsëritur edhe një herë tjetër gjatë Pashkëve të vitit të kaluar. Statuja e shekullit të 18 tregon Krishtin, që qëndron i përulur nga pesha e kryqit përpara se të kryqëzohej. Statuja lëvizet nga altari i drunjtë cdo vit dhe parakalon rrugëve të kryeqytetit të Bolivisë La Paz gjatë festës së Pashkëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›