E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miller: Nuk do ndalet gazi për Evropën

Shefi ekzekutiv i Gazpromit rus Aleksei Miller, ka deklaruar se furnizimi me gaz për vendet e Europës do të vazhdojë, pas vendosjes së monitoruesve të pavarur, që do të garantojnë se gazi do të shkojë në Europë. Miller i ka bërë këto komente në Parlamentin Europian në Bruksel, ku kishte takime me zyrtarët e BE-së për mosmarrëveshjet Rusi - Ukrainë lidhur me gazin. "Ne kemi arritur një marrëveshje me partnerët tanë europianë që sapo të vendosen monitorët e pavarur të gazit, furnizimi më këtë të fundit do të vazhdojë normalisht", tha Miller. Më tej, Miller u shpreh se i kishte dhënë presidentit të Komisionit Europian, Hoze Manuel Barrosos, protokollin për vendosjen e monitoruesve. Nga ana tjetër, Presidenti i kompanisë ukrainase 'Naftogaz', Olek Dubina, ka deklaruar se Ukraina do të garantojë transportin e gazit për në Europë, atëherë kur Rusia do të vazhdojë furnizimin. Ditët e fundit, shumë shtete europiane nuk kanë marrë gaz nga Rusia nëpërmjet Ukrainës. Një gjë e tillë ka shkaktuar një situatë të jashtëzakonshme, përfshirë edhe kursimin e përdorimit të gazit. Bashkimi Europian ka tërhequr vërejtjen se nëse ky mospajtim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës nuk zgjidhet shpejt, kjo do ta dëmtonte kredibilitetin e të dy vendeve si partnerë biznesi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›