E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sindikatat në demonstratë, artistët japin koncert proteste

/>Vazhdojnë trazirat në Greqi, opozita dhe sindikata akuzojnë qeverinë për strategji tensioni. Parulla e djeshme: "Qeveri vrasëse"

Kanë vijuar edhe dje protestat ne kryeqytetin grek, Athine. Mijëra të rinj protestuan në qendër të qytetit, ndërsa një tjetër grup sulmoi Institutin Francez me bomba Molotov, duke thyer xhamat e dritareve. Situata u përkeqësua pas një incidenti të dytë, kur një 17-vjeçar u plagos ne dorë nga një plumb, që erdhi nga një drejtim i paditur në periferi të Athinës. Për dje pasdite protesta kishin paralajmëruar edhe dy sindikatat më të mëdha të Greqisë. Thirrja u i ishte drejtuar popullit për të protestuar kundër votimit të buxhetit të vitit 2009, që synon masa shtesë për të përballuar krizën financiare. Ndërkaq, artistët do të zhvillojnë një koncert në qendër të Athinës për të protestuar kundër vrasjes së adoleshentit Alexis Grigoropulos. 800 shkolla të mesme dhe 200 universitete vazhdojnë të jenë të mbyllura në Greqi, si pasojë e protestave.  Qindra militantë sindikalistë u mblodhën në qetësi sot përpara parlamentit të Athinës, ndërsa shoqata të rinjsh organizuan aty pranë një koncert, në ditën e 14-të të mobilizimit kundër vdekjes së një adoleshenti të vrarë nga një polic. "Qeveri vrasësish", "Jo represionit shtetëror, fajtorët duhet të paguajnë", "Ne do të rezistojmë", thuhej nëpër parullat që mbaheshin nga sindikalistët përpara parlamentit. Dy furgonë me forca të ndërhyrjes së shpejtë si dhe një numër i madh policësh kishin rrethuar manifestuesit, ndërsa qendra e kryeqytetit ka qenë skenë e një serie protestash të paprecedenta që prej 6 dhjetorit, data e vdekjes së Alexis Grigoropoulos, 15 vjeç.  Dy sindikatat kryesore GSEE për sektorin privat dhe ADEDY për atë publik, kishin bërë thirrje për këtë grumbullim zyrtar për të protestuar  kundër politikës së "ashpër" të qeverisë së djathtë, me qëllim votimin të dielën nga parlamenti të buxhetit të shtetit për vitin 2009. Disa qindra metra larg, një koncert këngëtarësh i organizuar nga shoqatat e gjimnazistëve dhe studentëve, mblodhi më shumë se 500 të rinj  përpara selisë së Universitetit. Më parë, një mijë liceistë dhe militantë komunistë manifestuan në Peristeri, periferia perëndimore e Athinës, ku një gjimnazist, djali i një sindikalisti të njohur, u plagos lehtë me armë zjarri të mërkurën në mbrëmje, ndërsa ndodhej jashtë me miq të tij.
Policia që po heton mbi origjinën e të shtënës, ende të papërcaktuar, tha se jo nuk kishte ardhur nga ndonjë polic.

Greqi: Të rinj protestues thyejnë xhamat e Institutit Francez

Policia greke thotë se rreth 20 të rinj thyen sot xhamat e Institutit Francez në Athinë, qendër e kulturës dhe gjuhës franceze të kryeqytetit, ndërsa protestat vazhdojnë që prej dy javësh, pas vrasjes së një adoleshenti nga policia. Zyrtarët thanë se në incidentin e sotëm nuk pati të plagosur. Sindikatat kryesore të Greqisë kanë organizuar mitingje pranë Parlamentit për të protestuar kundër buxhetit qeveritar për 2009-n. Rreth 7 mijë protestues marshuan dje në qendër të Athinës. Më pas, qindra prej tyre u shkëputën nga mitingu dhe filluan të hedhin gurë dhe bomba zjarri ndaj policisë, që u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmave. Policia e Athinës tha se 8 vetë u arrestuan gjatë dhunës së djeshme.

'Nuk jemi plaçkitës', emigrantë e qytetarë grekë në manifestim

Ishte manifestimi i pestë i zhvilluar dje në Athinë që u përfshi sërish në valën e trazirave me makina të djegura dhe konfrontime të ashpra me policinë. Qindra qytetarë grekë, por edhe emigrantë nga 40 komunitete të ndryshme u mblodhën mbrëmë para parlamentit grek në një manifestim antiracist, në serinë e pesë protestave të ndryshme të mbajtura dje në qendër të Athinës. Me banderola kundër racizmit dhe ksenofobisë, emigrantët bënë moto kryesore të manifestimit parullën nuk jemi plaçkitës. Ata iu përgjigjën kështu zërave që përpiqen të demonizojnë emigracionin në sytë e opinionit, për shkak të përfshirjes dhe të emigrantëve në trazirat. Në emër të demokracisë spekullohet. Nga njëra anë shoh shtetin grek, i cili nuk ka atributet e duhura, ndjehet si të thuash i tërhequr edhe fajtor ndaj shtresave më në nevojë që ka Greqia, ndihet qafë ulur përballë kësaj të keqe dhe nga ana tjetër shohim njerëz që unë besoj se nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë dhe ligjet greke, na thotë emigranti Astrit Kora. Në fjalët e tij shprehej pezmatimi i gjithë pjesëmarrësve dhe për mosrealizimin e marshimit të protestës në vijim për në zyrat e Bashkimit Evropian, për shkak të episodeve dhe trazirave që i kthyen sërish qendrës së Athinës dekorin e zjarreve dhe makinave të djegura, akoma edhe me barrikada, para fakultetit të Drejtësisë, ku policia përdori gjerësisht gazin lotsjellës për të shpërndarë të rinjtë e revoltuar, me edhe pa maska, dhe për të parandaluar kësaj radhe shkatërrimet. Policisë iu desh që të rrethojë me një togë të tërë pemën e vitit të ri për ta shpëtuar nga një shkrumbim i dytë që e bën edhe më dëshpërues apelin e kryetarit të bashkisë Kakllamanis për një moratorium protestash për shkak të festave, që nuk po duken në qendër të kryeqytetit. Sot zhvillohen dy protesta të tjera, nesër një tjetër manifestim antiracist dhe nëpër rrugë janë nxënës, studentë, arsimtarë dhe punëtorë, që kërkojnë të dëgjohen nga qeveria që duket se e ka humbur busullën.  Pamundësia e qeverisë për të kuptuar revoltën e të rinjve dhe për të biseduar me ta tregon se kontrolli ka humbur, thotë përfaqësuesi parlamentar i opozitës Venizellos. Opozita akuzon qeverinë për strategji tensioni dhe një ditë më parë presidenti i Unionit të Industrialistëve kërkoi qeveri koalicioni. Klima e acaruar dhe nga plagosja e një nxënësi tjetër vështirë se do të ndryshojë edhe me kartën e fundit të Karamanlisit, që pritet fill pas festave, atë të strukturimit rrënjësor të qeverisë së tij të brishtë. Nxënësit dhe studentët, që kanë zaptuar rreth 700 shkolla dhe 140 fakultete, janë gjithnjë e më të paparashikueshëm, me forma proteste të larmishme që tërheqin vëmendjen e gjithë botës si ajo e banderolës pesë gjuhëshe, apel për rezistencë, në muret e Akropolit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›