E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazë, nuk ka armëpushim, pengohen ndihmat

Ushtria izraelite dhe militantët e Hamasit kanë vazhduar luftimet në Gaza, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim. Në luftimet e fundit, avionët izraelitë bombarduan objektiva në Rripin e Gazës dhe buldozerët e tyre shkatërruan struktura palestineze pranë kufirit. Një zëdhënës ushtarak izraelit deklaroi se rreth 20 raketa janë hedhur nga Gaza drejt pjesës jugore të Izraelit. Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak ka vizituar një kamp ushtarak, ku ka vëzhguar trajnimet e rezervistëve përpara një ekspansioni të mundshëm të ofensivës në Gaza. I pyetur për raketat e hedhura nga Libani në veri të Izraelit, Barak nuk ka dhënë ndonjë përgjigjje ushtarake . "Ne po ndjekim nga afër se çfarë po ndodh në veri të vendit dhe do të reagojmë ashtu siç duhet", u shpreh Barak. Teksa, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, thotë se forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj një kamioni, që sillte ndihma në Gaza, duke vrarë shoferin. Sipas kësaj agjencie, kamioni me ndihma ishte qëlluar gjatë pauzës së ofensivës izraelite, për të lejuar furnizimin me ushqime dhe karburante në territorin që udhëhiqet nga Hamasi. Kjo ka çuar në pezullimin e operacioneve humanitare në Gaza. Ndërkohë që në Jordani kanë vazhduar protestat në ditën e 12 të sulmeve izraelite që kanë shkaktuar vdekjen e rreth 700 palestinezëve dhe 10 izraelitëve. Mijëra nxënës shkolle kanë marshuar në Jordani, me mbështetjen e UNICEF-it. Aktivistët, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe të Hamasit dhe kënduar kundër Izraelit kanë bërë thirrje për mbrojtjen e fëmijëve. Ata mbanin pankarta ku shkruhej: "Vrisni makineritë e burracakëve". "Të gjithë Presidentët arabë janë ulur në karriget e tyre dhe kanë frikë se i humbasin. Nëse ata kanë frikë të reagojnë, ose të bëjnë dicka për Palestinën, ata duhet të hapin kufijtë dhe ne do të luftojmë. Ata le të qëndrojnë në karriget e tyre dhe t'i ngrohin ato", tha Sara, njëra nga protestueset. Jordania është vendi që mban rreth tre milionë refugjatë palestinezë, shumica e të cilëve janë natyralizuar në qytetare jordanezë por që kanë mbetur shumë të lidhur me atdheun e tyre, Palestinën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›