E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Boll! Kështu nuk shtyhet më”, në teatrin e Durrësit



“Boll! Kështu nuk shtyhet më”, është titulli i komedisë më të re që vjen në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit nga regjisorja Driada Dervishi më datat 14 dhe 15 maj. Pjesa trajton situatën politike të zhgënjimeve të mëdhaja sociale në formën e satirës dhe të groteskut. Ajo është e autorit të njohur italian Dario Fo dhe deri më sot mendohet të jetë ngjitur në më shumë se 600 teatro e kompani teatrore nëpër botë gjatë 33 viteve të fundit që nga koha e publikimit të saj. Gjatë muajve të fundit, vepra që fillimisht titullohej “Nuk paguajmë! Nuk paguajmë” është ngjitur në skena të ndryshme të Europës, e deri në Rusi, Kinë, Japoni dhe Indi, ku nuk ka munguar suksesi. Kur shfaqja u vu në skenë për herë të parë në Milano, u duk si një ngjarje e pamundur dhe sureale. Antoneta dhe Margarita, dy gra te martuara, e para e papunë dhe e dyta part-time, mezi arrijnë që t’i menaxhojnë paratë deri në fund të muajit. Antoneta gjendet rastësisht në një protestë bashkë me shumë gra të tjera, të ndodhura në të njëtën situatë si ajo, që kur arrijnë në supermarket shohin se çmimet janë rritur më shumë se çdo herë tjetër... vendosin t’i marrin ushqimet pa paguar. Antoneta del nga supermarketi e mbushur me ushqime të të gjitha llojeve dhe ndihmohet nga komshia dhe mikesha e saj Margarita, për t’i çuar në shtëpi. Kur arrijnë aty, nuk e kanë idenë se ku duhet t’i fshehin gjithë ato ushqime; Kanë frikë nga sherri që do t’i bëjë i shoqi i Antonetës, i cili ka besim të plotë te ligji. Për të gjetur një zgjidhje ajo nis pa e kuptuar të futet në një seri keqkuptimesh e situatash komike, tipike si ato në Komedinë e Artit. Në kohën kur u publikua kjo pjesë, ndonjë kritik e akuzoi Dario Fonë se kishte bërë teatër fantapolitik dhe që kishte imagjinuar histori të ekzagjeruara, paradoksale e të pamundura, por Dario Fo i ka quajtur këta persona si gazetarë të painformuar mbi realitetin e gjërave, nga ata njerëz që nuk dëgjojnë dhe nuk lexojnë, as gazetën ku shkruajnë vetë. Disa muaj më vonë në Milano shpërtheu saktësisht e njëjta gjë që trupa e Dario Fo-së kishte treguar në skenë. Ndërsa shpikësit që aplikuan “çmimet proletare” u arrestuan dhe u gjykuan. Në ditët e atyre debateve “Il Giornale”, e drejtuar nga Indro Montanelli, kërkoi që të ndëshkohej Dario Fo, pasi me komedinë e tij kishte frymëzuar dhe nxitur puntorët për të bërë përvetësime të paligjshme. Dario Fo ishte një artist brilant, pantomimist, regjisor, autor, aktor, skenograf, që prej 40 vjetësh është një nga protagonistët më aktivë dhe kurajozë të teatrit italian e atij botëror. Karakteristikat me të njohura dhe jo të vetmet, të veprës së Fo-së, janë antikonformizmi dhe forca e madhe satirike që ushtrohet mbi politikën, Kishën dhe moralin përbashkët. Pozicioni i tillë antagonist i ka shkaktuar jo pak herë probleme me pushtetin, duke i dhënë kështu famën e një artisti që krijon trazira. Fo është edhe “Nobeli i Letërsisë” (1997), gjithashtu veç të tjerash ai është vlerësuar me “Honoris causa” prej Universiteteve të Sorbonës (Paris) dhe “La Sapienza” në Romë.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›