Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, rikthim pas 20 vitesh në Galerinë Kombëtare
Petrika GROSI
Që nga vitet ’90, koha kur me rënien e komunizmit dhe hyrjen e demokracisë në Shqipëri, çdo vepër arti që kishte të bënte me diktaturën u hoq apo u shkatërrua (kujtojmë këtu bustet e Hoxhës, Stalinit etj.) në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, qindra vepra të realizmit socialist flinin gjumë dhe kalbeshin bodrumeve të institucionit të harruara dhe të zhvlerësuara. Së fundi, pikturat e ndaluara të “demokracisë” siç janë ato me përmbajtje udhëheqësit komunistë shqiptarë dhe pikturat e ndaluara të komunizmit, të krijuara në të njëjtën periudhë me të parat, janë të ekspozuara në pavionin e përhershëm të ekspozimit të inaguruar këto ditë në GKA. Kohët e fundit, me rikonstruktimin dhe rikonceptimin e Galerisë Kombëtare, linjave dhe salloneve të saj, në trajtat e një muzeumi të arteve pamore, janë ekspozuar për herë të parë në këto dy dekada “pikturat e ndaluara” të realizmit socialist, madje dy prej tablove siç janë ajo e Vilson Kilicës dhe e Fatmir Haxhiut shfaqin Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun në qendër të tyre. Kështu pra, dy liderët komunistë rikthehen në GKA, paçka se qëllimi është ai historik dhe ilustrimi se si politika e shfrytëzonte, drejtonte dhe manipulonte artin në funksion të propagandës së vet. Përveç pikturave, sallat kanë të ekspozuara edhe skulptura, ku për nga historia, mes tyre veçon një gjysmë trupi (nudo) e autorit Janaq Paço. Kjo vepër ishte bërë pronë e GKA-së më 5 maj 1964 dhe deri në vitin ’74 ka qenë e plotë. Pikërisht në atë vit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Sigurimi i Shtetit e detyruan skulptorin Janaq Paço që t’i thyente të gjithë veprat me frymë moderne, pasi nuk mund të lejohej asnjë ndikim nga arti i huaj në veprat e realizmit socialist. Në të njëjtën kohë, u thye edhe nudoja që tashmë ekspozohet gjysmake në GKA. Po kështu, një tjetër pikturë e ndaluar për komunizmin është nudoja e piktorit të njohur Sali Shijaku, e cila u përket viteve ’70 dhe gjithashtu mund të shikohet nga publiku që do të vizitojë këtej e tutje GKA-në. Siç do të shprehej dhe vetë drejtori i GKA-së, Rubens Shima, “për herë të parë, pas ndryshimit politik të vitit 1991, Galeria Kombëtare e Arteve merr përsipër të ekspozojë një linjë historike të artit shqiptar. Kjo linjë përfshin një periudhë prej gati 120, vjetësh duke filluar nga viti 1883, vit që mban tabloja ‘Motra Tone’ e Kolë Idromenos dhe që shkon deri në fillim të viteve 2000, duke treguar rrugën që kanë përshkruar artet pamore në Shqipëri për të mbërritur në fillim të shekullit XXI.” Ciklet e përzgjedhura për këtë ekspozitë të përhershme janë: “Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare”, “Arti i Rilindjes dhe i Pavarësisë”, “Piktura Realiste dhe Shkolla e Vizatimit”, “Piktura dhe skulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950-1986)”, “Realizmi Socialist, Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960-1986)”, “Elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-70” si dhe “Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)”.
13 Maj 2009