E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i GNK-së: Sfida e Kosovës, integrimi i serbëve



Blerina Olldashi
Integrimi serbëve është sfida më e madhe për Kosovën dhe ecjen përpara. Grupi Ndërkombëtar i Krizave poblikoi një raport me titull “Integrimi i serbëve në Kosovë: Vendimi për të ecur përpara”, në të cilin argumenton se një integrim i tillë është një sfidë me rëndësi të veçantë për shtetin më të ri në Europë. Në raport thuhet gjithshtu se duhen bërë përpjekje edhe më të mëdha për ta bindur minoritetin serb se e ardhmja e tij është në Kosovë. Megjithë thirrjet e Beogradit për bojkotimin e institucioneve të Kosovës, një numër gjithnjë e më i madh serbësh, vëren raporti, po bashkëpunojnë praktikisht me këto institucione, duke u mbështetur në shërbimet e tyre, duke aplikuar për dokumentet e Kosovës dhe po ashtu duke pranuar pagat nga buxheti i saj. Varianti më i mirë për integrimin e minoritetit serb, rekomandon ky raport, është nëpërmjet zbatimit të planit gjithëpërfshirës të decentralizimit siç parashihej në planin Ahtisari, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Por për të fituar përkrahjen e serbëve në këtë përpjekje, Prishtina duhet të mos e ngarkojë këtë proces me retorikën e pavarësisë së Kosovës, thekson raporti. Ndërkohë në lidhje me protestat e serbëve në Veri, kryetari i komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi, tha në këtë vend trazirat janë organizuar nga grupe ekstremiste, të cilat kundërshtojnë rindërtimin e shtëpive të pronarëve shqiptarë në atë lagje. Rexhepi shtoi se situata është mbajtur nën kontroll nga strukturat e drejtësisë dhe ka përshëndetur punën e policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR-it. Ai shtoi se zyrtarisht nuk ishte njoftuar përsa i përket marrëveshjes së arritur mes serbëve të zonës dhe ndërkombëtarëve, që të nisin punën edhe serbët që kanë blerë prona. Ai sqaroi se komuna nuk ka qenë e përfshirë në biseda të tilla, por sido që të jetë, kryetari Rexhepi, theksoi se ndërprerja e protestave është një shenjë e mirë se edhe pjesëtarët e komunitetit serb kanë kuptuar se kundërshtimi i rindërtimit ka qenë një absurditet, duke pasur parasysh se pronarët e atyre shtëpive që kanë filluar të rindërtohen kanë të gjithë dokumentacionin valid.

Sejdiu: “Së shpejti konsulta për datën e zgjedhjeve me partitë”

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu do të zhvillojë konsultime me partitë politike, në lidhje me datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. “Unë do t’u përmbahem afateve ligjore. Brenda pak ditëve do të filloj konsultat me partitë politike dhe e përbashkëta e këtyre bisedave do të jetë vendim i imi”,- ka theksuar presidenti. Gjithashtu, kreu i shtetit deklaroi se nuk kishte marrë ftesë nga autoritetet maqedonase për ceremoninë e inagurimit të presidentit të ri, Gjorgje Ivanov. Megjithatë, ai vleresoi se kjo nuk do të thotë se ekzistojnë raporte të këqija mes dy shteteve. “Ne do të jemi në kontakte të vazhdueshme si dy vende. Republika e Kosovës do të nxitojë të ecë në hapat e vet dhe për ne është me rëndësi që të bëjmë hapa pozitivë brenda vendit, por edhe në raporte ndërkombëtare”,- ka thënë Sejdiu.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›