Maqedoni, Ivanov bën betimin si president
Presidenti i ri i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov bëri dje në parlament betimin duke thënë se përparësi në mandatin e tij do të jetë integrimi euroatlantik. Ai tha se ndër përparësitë do të jenë gjithashtu qëndrueshmëria e brendshme në vend, marrdhënie të shëndosha ndëretnike, ringritja ekonomike, bashkëpunim i ngushtë me vendet fqinje, veçanërisht Greqinë. “Axhenda ime është e qartë: Maqedonia anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s”,- tha zoti Ivanov gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës. Të ftuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit maqedonas ishin katër presidentë nga rajoni: ai i Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi, e Serbisë. Në ceremoni nuk mori pjesë Presidenti i Kosovës, Bullgarisë dhe Greqisë. Gjorgje Ivanov fitoi bindshëm në zgjedhjet presidenciale të para disa javëve dhe në postin e kreut të shtetit do të zëvendësojë Presidentin Branko Cërvenkovski.
Bajden thirrje Beogradit: “Mos e minoni pavarësinë e Kosovës”
“Nënpresidenti amerikan Xho Bajden, gjatë një vizite në Beograd u bëri thirrje autoriteteve të vendit të mos minojnë pavarësinë e Kosovës, duke mos nxitur separatizmin apo shkëputjen në pjesët në të cilat jeton minoritet serb”, ka thënë Daniel Nelson, ekspert për Ballkanin. Ndërkohë në Prishtinë, Bajden do të theksojë mbështetjen amerikane ndaj pavarësisë së Kosovës. “Ky pothuajse është fakt i kryer. Sa më shpejt që të gjithë në Beograd ta kuptojnë këtë, aq më mirë do të jetë për rajonin në tërësi. Mendoj që Bajden do t’u thotë liderëve të Kosovës se SHBA-të mbështesin pavarësinë e Kosovës, dhe se posaçërisht pret nga kryeministri Hashim Thaçi që të kalojë nga fjalët në vepra sa i përket europianizimit të Kosovës”, - ka thënë ai. Sipas Nelson, Bajden dëshiron të bisedojë edhe me presidentin Fatmir Sejdiu. “Ai nga të dy liderët Kosovës do të kërkojë që të garantojnë siguri dhe të drejta të njeriut për pakicën serbe dhe të mbrojnë monumentet kulturore dhe fetare të serbëve në Kosovë”,- tha Nelson.
13 Maj 2009