E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëplagoset me armën e shërbimit efektivi i trupës së shërbimit në Gjykatë



Korçë – Policia dyshon se polici i burgut është vet plagosur me dashje dhe jo nga pakujdesia ashtu si rezultoi nga hetimet e para. Burime nga policia u shprehën se 38-vjeçari Olsi Rexhollatri polic i Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë, konsumonte alkool prej kohësh ndërsa njihej si frekuentues i lojërave të fatit. Policia dyshon nëse gardiani kishte borxhe të pashlyera për shkak të frekuentimit të lojërave të fatit e basteve sportive gjë e cila mund ta ketë detyruar atë të tentojë të vetëflijohet. Megjithatë deri më tani gjithçka mbetet në kuadrin e dyshimit sipas policisë, pasi hetimet po vazhdojnë ende për të zbardhur të vërtetën.
Ngjarja
Ngjarja ku mbeti i plagosur gardiani ndodhi pak pas mesnatës duke u gdhirë e marta kur ai është kthyer i dehur në shtëpi. Burimet thanë se në spitalin e qytetit të Korçës është paraqitur i plagosur me armë zjarri, 38-vjeçari Olsi Rexhollari, lindur dhe banues në lagjen nr. 5 Korçë, me detyrë efektiv në trupën e shërbimit në institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Drenovë të Korçës. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se Rexhollari ka shkuar në banesën e tij dhe pasi ka shkuar në dhomën e gjumit për të fjetur, nëna e tij ka dëgjuar një të shtënë arme që ka mbërritur prej saj. Menjëherë ka gjetur atje djalin e plagosur, të cilin e ka çuar menjëherë në spital për t’i dhënë ndihmën mjekësore.
Hetimi
Bëhet e ditur se Olsi Rexhollari është plagosur në supin e majtë ku ka pësuar dëmtime masive të kockës dhe për këtë arsye është transportuar menjëherë në spitalin Ushtarak Tiranë, pavarësisht se ishte jashtë rrezikut për jetën. Nga komunikimi me të dëmtuarin ai është shprehur se është vetëplagosur me armën e shërbimit gjatë kohës që po përgatitej për të fjetur. Gjatë hetimeve paraprake, rezultoi se ky shtetas shpesh herë luante me lojëra fati dhe baste sportive. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “Plagosjes së lehte nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 92 i Kodit Penal.

Goditi me sëpatë në sherr e sipër, i kërkuari kapet nga forcat e policisë

Devoll – Forcat e policisë së Devollit kanë mundësuar kapjen e personit që ishte shpallur në kërkim për një plagosje të kryer me sëpatë ndaj një qytetari 10 ditë më parë në këtë zonë. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ai është Guri Mazelliu, 23 vjeç, lindur dhe banues në Bilisht, i shpallur në kërkim policor që nga data 2 maj, pasi ndaj tij kishte nisur një procedim penal për veprën penale të “Vrasjes me dashje mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 76 e 22 i Kodit Penal. Kjo pasi në datën 1 maj 2009 gjatë një konflikti për motive të dobëta, ai ka qëlluar më sëpatë në kokë duke e dëmtuar, Erigels Bregu. Pas kapjes së tij, është njoftuar menjëherë institucioni i Prokurorisë, i cili konfirmon se për këtë ngjarje është bërë ndryshimi i cilësimit të veprës penale nga “Vrasje me dashje mbetur në tentativë”, në atë të “Plagosjes së lehtë me dashje” për të cilën hetimet në ngarkim të Guri Mazelliut do të vazhdojnë në gjendje të lirë.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›