E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 35-vjeçari, plagosi me armë gjahu dy adoleshentë



Elbasan - Një 35 vjeçar, i shpallur në kërkim për “vrasje me dashje të mbetur në tentativë” u arrestua në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime të policisë lokale thanë se "35-vjeçari SH.Q u arrestua pasi dy ditë më parë akuzohet të ketë qëlluar me armë gjahu dy adoleshentët me iniciale E.S, dhe B.M, me banim në fshatin Mengël të rrethit të Elbasanit, pas një konflikti për motive të dobëta”. Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar armën e gjahut, me të cilën 35-vjeçari ka qëlluar drejt adoleshentëve duke i plagosur në pjesë të ndryshme të trupit.

Pranga 68-vjeçarit, akuzohet për prerje të paligjshme të pyjeve

Elbasan - Policia e Elbasanit arrestoi të martën në mëngjes një 68-vjeçar i akuzuar për “prerje të paligjshme të pyjeve”. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur për gazetën “albania” se “68- vjeçari Hamit Pepa, me banim në fshatin Polis të rrethit të Elbasanit, u arrestua në bazë të vendimit penal të Gjykatës së rrethit të Elbasanit, e cila e kishte dënuar atë në mungesë për veprën penale “prerje e paligjshme e pyjeve”.

Probleme në shpërndarjen e kartave të identitetit

VLORE- Sërish probleme me procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit në Vlorë. Banorët e qytetit bregdetarë ankohen se edhe pse kanë aplikuar, për më shumë se dy muaj më parë, deri më tani nuk e kanë marrë ende kartën e identitetit. Pavarësisht interesimit ata nuk ngurojnë të denoncojnë edhe faktin e mungesës së informacionit. Nuk mungojnë edhe qytetarë të cilët shprehen se për shkak të vonesave, apo paraqitjeve të shpeshta në postë pa marrë një përgjigje të saktë, janë të gatshëm edhe të mos i tërheqin kartat, duke rrezikuar kështu pjesëmarrjen në votime.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›