E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boll o Hi(rr)majot…!

Martin Leka 

Prej disa kohësh, shumica e kolegëve gazetarë dhe komentues të zhvillimeve dhe indikacioneve politike në vend, shprehen të nervozuar dhe tërheqin vëmendjen për investim të pamerituar marketimi të emrit të kryebashkiakut lokal të Himarës. Në një pamje të parë, duket se ne gazetarët, në misionin tonë informues dhe reagues kemi rënë pre e këtij individi abuzant, ose jemi shndërruar në “karrem” të publicitetit të tij politik. Sa herë personalisht kam reaguar për skandale, incidente, provokime dhe sjellje prej separatisti provincial dhe të pakulturuar prej tij, kam pasur edhe këtë rezervë. Por, e vërteta e kapërcen këtë “grindavec” politik që në misionin e tij të deleguar, po përdor një komunitet qytetarësh të vendit tonë dhe po vepron si “protagonist i emëruar”, për një proces që në shtetin fqinj, Greqi, e quajnë politikisht greqizim. Ky proces që ka për toger njeriun e konvertuar Bollano, po cenon integritetin moral dhe përkatës të një prej krahinave me histori të njohur e të adhurueshme shqiptare. Këtë mision, të marrë nga ’90-ta e këtej në kohë, tipi Bollano po e përdor në kurriz të demokracisë lokale, në kurriz të ndërgjegjes dhe trashëgimisë shqiptare të zonës dhe në kurriz të një nevoje ekzistenciale të lidhur me emigracionin, që banorët himarjotë e kanë pranuar si zgjidhjen më të leverdishme jetiko-ekonomike. Absurdin e asaj që po ngjet në Himarë, kolegu im Aleksandër Çipa ma shprehu dje përmes një sofizme: “Në vendlindjen time jam në tokën që i përket kombit tim, ndërsa një pjesë e madhe e bashkëpatriotëve të mi, janë në tokën e tyre, por që nguten t’i përkasin një kombi tjetër”. Duke vënë në të njëjtin kallëp dy cilësi politike, atë të kryebashkiakut të Himarës dhe atë të kryetarit të OMONIA-s, Bollano, ka shumëfishuar efektin veprues dhe ka plotësuar tagrin për jehonë të çdo zullumi të tij në Himarë. Në këtë mënyrë dhe përmes sjelljesh të tilla të sprovuara prej provokatori të konvertuar në nacionalist, kryebashkiaku i Himarës është shndërruar në një njeri-precedencial. Prej dy mandatesh si kryebashkiak i kësaj bashkie të nivelit të dytë, ky i deleguar politik për interesa të vendit fqinj, po realizon modelin e autoritaristit lokal të paprekshëm. Në Himarë ai ka marrë pamjen dhe përmbajtjen e individit me pushtet që nuk njeh ligj, nuk njeh autoritet qendror të shtetit dhe që neglizhon dhe shpërfill në mënyrën më provokuese unitaritetin e shtetit dhe administratës ligjore të vendit. Në një flirt të pashpjegueshëm politik me kryeministrin e vendit apo edhe me politikanë të tjerë, ai po merr përsipër edhe të drejta administruese, të cilat bëhen edhe më të dyshimta. Ka lajme se prej pak muajsh me firmën e tij kanë nisur të jepen hipoteka për disa njerëz të zgjedhur, madje me procedurë të përshpejtuar. Banorë të Himarës dhe deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, e denoncoi këtë kompetencë si mundësi për legjitimim dhe realizim të abuzimit korruptiv të Bollanos. Natyrshëm mund të shtrohet pyetja: Kush përfiton nga kjo procedurë e përshpejtuar toke? Kë shpërblen ky person me mandat të deleguar politik? Përgjigjja më e parë është: omonistët, grupin nepotik të nëpunësve të tij në bashki dhe gjithë anëtarët e përkatësisë së vet politike. Ndërkohë që prej kaq kohësh duket se ky mekanizëm i adaptuar mes rafinesë prej këtij administratori të politizuar, ia ka dalë mbanë të shuajë veprimin e spektrit partiak e pluralizmit partiak lokal në Himarë. Kjo është një heshtje vrastare dhe e frikshme për ekzistencën plurale dhe një faj i rëndë i politikës. Prej më tepër se gati dy vjetësh, asnjë prej partive politike të Himarës nuk ka përcjellë qoftë edhe një deklaratë për bëmat dhe provokimet e pista politike të këtij kryebashkiaku. Nga ana tjetër, drejtuesit lokalë të partive në Himarë duket se janë kapur prej këtij kryebashkiaku, që më shumë se për bashkinë, është provokator për “pakicështimin” grek në Himarë.
Për gjithë këtë profil acarues të tij, ka ardhur çasti i një reagimi më serioz prej strukturave lokale të partive të vendit. Bollanos i duhet thënë seriozisht boll, sepse ai nuk ka as takatin e as materien për ta kthyer Himarën në një “Abkhazi shqiptare”. Reagimi dhe fjala përmbajtësore e deputetit të njohur, avokat Spartak Ngjelës në mitingun e pardjeshëm në Himarë apo Neranxit në mënyrë të vazhdueshme, janë realisht një sjellje serioze e politikanëve që kanë ndërgjegjen e patriotizmit ligjor.
Propozimi publik i avokat Ngjelës për ngritjen e një lobi parlamentar, i cili do të vendoset në bashkinë e Himarës për të audituar veprimin dhe administrimin ligjor të kryebashkiakut dhe organeve lokale, është një gjest që do të eklipsonte mandatin e abuzuesit lokal Bollano.
PS. Në Himarë dhe fshatrat e saj, kur ndonjë prej banorëve këput broçkulla, atëherë bashkëqytetarët e tij, në zhargon lokal i drejtohen jo himarjot, por hi(rr)majot, duke dashur t’i shprehin se ato që artikulon kanë vlerën e hirrës, lëngut të kotë të djathit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›