E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditori padi Alimuçës për 2500 USD e humbura te VEFA

Ka humbur paratë te ish-kompania VEFA, por kërkon kthimin e tyre nga vetë Vehbi Alimuça, ish-bosi i skemës piramidale, tashmë i burgosur. 

Fatos Mahmutaj

Sipas gjykatës, 70-vjeçari Qemal Tole, edhe pse është përballur disa herë me drejtësinë, ku herë ka fituar dhe herë ka humbur, ka vendosur të mos heqë dorë nga rrugët ligjore, derisa të rimarrë 2500 dollarët e humbur në arkën e ish-skemës piramidale "VEFA Holding". Tashmë pas plot 12 vitesh procesesh gjyqësore, Tola i është rikthyer sërish Gjykatës së Tiranës ku kërkon së fundmi, detyrimin e përmbarimit për t'i ekzekutuar atij vendimin gjyqësor të vitit 1997, ku ka fituar të drejtën për t'iu rikthyer paratë, që kishte depozituar te VEFA. Tashmë padia ndodhet në duart e gjykatëses Manjola Bejleri, e cila ka caktuar që seanca e radhës do të jetë sot në orën 13:30, ndërsa tjetra pas një muaji në të njëjtën orë. Përballjet e Tolës me drejtësinë në kërkim të parave të veta kanë nisur menjëherë pas falimentimit të firmave piramidale, në fund të vitit 1996 dhe fillim të vitit 1997. Pas deklarimit të falimentimit të VEFA-s, ai iu drejtua Gjykatës së Tiranës, ku më 4 korrik të vitit 1997 arriti të siguronte një vendim gjyqësor, nëpërmjet të cilit "VEFA-Holding" dhe Vehbi Alimuçaj në cilësinë e presidentit i detyroheshin t'i kthenin të gjithë shumën e depozituar, prej 2500 USD, përfshi edhe interesat. Në lidhje me këtë vendim në qershor të vitit 2001 Gjykata e Tiranës ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit, i cili është pushuar disa herë prej përmbaruesve gjyqësorë. Argument me të cilin është pushuar urdhri i ekzekutimit nga përmbaruesit është fakti se, me gjithë kërkimet e bëra nga ky institucion, nuk është bërë e mundur të gjendet as pasuri e paluajtshme dhe as në të holla në emër të kompanisë "VEFA-Holding", me president Vebi Alimuçaj. Gjithashtu, duke qenë se as në emër të debitorit Alimuçaj, nuk ka llogari bankare apo pasuri të paluajtshme dhe kur kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga fillimi i ekzekutimit, Përmbarimi ka vendosur pushimin e ekzekutimit. Njëkohësisht, është vendosur edhe kthimi i urdhrit të ekzekutimit kreditorit, i cili sipas ligjeve në fuqi ka të drejtë të paraqesë kërkesë të re për ekzekutim, brenda kohës së parashkrimit. Më në fund Përmbarimi ka sqaruar se, të gjitha pasuritë e VEFA-s dhe Alimuçajt aktualisht, administrohen nga Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve, të cilit duhet t'i drejtohet Tola për të përfituar sipas ligjeve në fuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›