E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dymbëdhjetë tradhtitë pa një të vërtetë

Lindita NIKOLLA 

Edhe pse gjëja e fundit që dua të bëj është të debatoj për sajime aluçinante, nuk mund të rri pa shprehur opinionin tim për  telenovelën e “12 tradhtive pa një të vërtetë”. Çdo shkrues skenarësh të këtij niveli, ka ekskluzivitetin në të bërit sa më “intrigues” serinë e radhës, duke u kujdesur maksimalisht që personazhi të jetë ekstremisht i bardhë apo ekstremisht i zi.
Nuk kam asgjë me telenovelat përderisa ato janë zgjedhje personale e gjithkujt për t’i ndjekur apo jo, ca më shumë me shkruesin e serisë së “12 tradhtive”. Është po ashtu zgjedhja e tij për të thënë të vërtetën ose jo. Sigurisht ndiej keqardhje kur kujtoj se ai është një deputet dhe ca më shumë deputet i opozitës.
Dua të largohem nga historitë me shitje dhe blerje se më kujtojnë jo vetëm politikën e vjetër, por dhe një batak bisede që e shpërfill. Ndaj po rendis përgjigjen e pyetjeve pa vënë gishtin në personazhe, pasi besoj në vetëdijen e çdo lexuesi për të bërë dallimin.
1. Kush i tradhtoi zgjedhjet në 3 korrik 2005?
Rotacioni politik është një vlerë e demokracisë. Humbja apo fitorja jo detyrimisht kanë vetëm shkaqe kulisash dhe tradhtish. Që kjo t’i shërbejë shëndoshjes së forcës politike, duhen parë së pari shkaqet se pse qytetari votoi kundër. Partia Socialiste i ka bërë analizat e veta dhe po punon fort për të ndërtuar raporte të reja me qytetarin, duke zhvilluar një protagonizëm të tipit të ri. Gjithsesi në fushatën e 2005 unë kam qenë pjesë e dy stafeve elektorale të Tiranës, ku vota për kandidatin e LSI tejkalonte diferencën midis kandidatëve të PS me kandidatët e PD. Asnjëherë nuk e kam parë dhe nuk e shoh si tradhti.
2. Kush tradhtoi zgjedhjet e parakohshme në korrik 2007?
Sërish një hamendësim diletanti që harron të përmendë se pse u anashkalua tryeza e partive dhe u kthye debati për presidentin në Parlament. Në një shoqëri demokratike rrallëherë ndodhin zgjedhjet e parakohshme dhe vijnë jo me revolucion apo thirrje populiste, por me raporte parlamentare. Raporte, të cilat për fat të keq, e majta nuk i siguroi në favorin e vet. Një “zotim i harruar” nuk mund të serviret si fashitësi i fitores së sigurt të zgjedhjeve të parakohshme edhe nën moton “shpif, shpif se diçka mbetet”.
3. Kush e zgjodhi Topin president?
Vota e maxhorancës me të cilën u bashkuan dhe 6 ish-deputetë të PS të zgjedhur në vitin 2005, kur kryetar partie nuk ishte Edi Rama. 
Me aktin e tyre PSSH u distancua menjëherë, duke e evidentuar si shfaqjen më flagrante të politikës së vjetër. Është e vjetër gjithashtu që fitoren apo humbjen në politikë t’ia faturosh vetëm kryetarit. Do humbte kuptimin e një bashkimi vullnetar. 
4. Kush e ka tradhtuar pavarësinë e drejtësisë?
E sigurt që Berisha. Nëse keni ndonjë “fakt tradhtie” si përfaqësues i komisionit parlamentar, luftoni fort edhe Berishën. Përse e kurseni? Është shumë, shumë e vjetër të denigrosh qindra gjyqtarë të nderuar duke i quajtur “zagarë”. Të gjithëve po na e nxin jetën Berisha dhe qeverisja e tij, por zagarllëku nuk është tipari ynë. E kuptoj që terminologjia e përdorur e bën më të “fortë” telenovelën. Madje, kur shkruesi është edhe vetë jurist e mbush me ngjyra që të lënë gojëhapur.
5. Kush po tradhton të majtët me të ashtuquajturën reformë zgjedhore?
Ju kujtoj të nderuar lexues se Listat e Zgjedhësve, Kartat e Identitetit, Pasaportat Biometrike, janë atribut i qeverisë. Prapë çuditem me shkruesin që e ruan Berishën dhe shigjeton Ramën. Rama ka të bëjë me këto probleme sa çdo kryetar partie i opozitës. Shkruesi e quan reformën “të ashtuquajtur” duke treguar padashje indiferencën (nuk dua të them papërgjegjshmërinë). Në fakt, në Kryesinë e PS janë shqyrtuar me shumë vëmendje edhe sugjerimet e këtij deputeti për reformën zgjedhore, të shkruara dhe me shkrimin e tij të shkujdesur të dorës. Atëherë kjo shkujdesje më bëri pak përshtypje. Tani e mirëkuptoj. E paska patur me gjasme.
6. Kush e prishi në thelbin e saj Kushtetutën e Shtetit Shqiptar?
Këto ndryshime u bënë në rrugë demokratike në Parlament. Si mund të pretendosh të kundërtën kur nuk u mblodhën as votat parlamentare dhe as ato qytetare për të shkuar në referendum? Në vitin 2008 organi më i lartë i një Partie aleate, pjesë e së cilës ka qenë dhe vetë shkruesi, të quhet nga zotëria bashkëpunëtore e fashizmit (kuislinge si e 1943-it). Asambleja Kombëtare e PS e njeh shumë mirë historinë, por nuk i ka mbetur ora në vitin 1943, por jeton në 2008 dhe përgatitet për 2009 dhe të ardhmen. A do të quanit kuisling nëse ndonjë anëtar asambleje vjen tek LSI?
7. Kush po shpëton Sali Berishën nga tragjedia e Gërdecit?
Padyshim mendësitë e vjetra që krijojnë edhe të tilla “12 tradhti”.
8. Kush e ka tradhtuar opozitarizmin ndaj qeverisë së Sali Berishës?
Ata që zgjodhën të bëjnë opozitën më të egër me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Ata që qahen se s’ka protesta, greva e opozitë parlamentare, edhe pse janë përfaqësues të një partie opozitare me përfaqësues në Parlament.
9. Edi Rama ka flakur, mënjanuar dhe tradhtuar militantët e Partisë.
Edi Rama dhe çdo anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS është më pranë se kurrë çdo socialisti. Në qoftë se thoni se ka ndryshuar komunikimi, keni të drejtë. Tani tek socialistët nuk shkohet “kapardisur” dhe me tjerrje batutash. Tek socialisti shkohet për të ndarë përgjegjësi, për t’i dëgjuar realisht, për të ndarë detyra të përbashkëta dhe rikthyer për të vlerësuar punën. Pas ngashërimit në fjalinë e gjetur si “e nënta tradhti”, lexohet dukshëm dëshira e vërtetë për të luajtur me hallet e militantëve të PS, që janë edhe hallet e militantëve të LSI apo çdo qytetari shqiptar sot.
10. Rama është shitur tek Berisha, ose Berisha e ka blerë atë.
Do ta besoja në qoftë se do të thoshit ndonjë fjalë për pasurinë e Berishës që arrin të blejë “më të pasurin e Ballkanit”. Kjo “e dhjeta tradhti” meriton vërtet notën dhjetë për nivelin amatoresk të të bërit politikë. Doza telenoveliane e sajimit është aq e lartë sa të vjen të “thyesh telekomandën”.
11. Edi Rama ka tradhtuar votuesit emigrantë.
Nga cila peshore ka dalë ky përfundim? Unë kam në familjen time 15 emigrantë që shohin tek Edi Rama shpresën për t’u rikthyer. Vota e tyre padyshim do të ishte për PS dhe Edi Ramën. Ata do të vijnë të votojnë. Sigurisht ky nuk është argument për të hedhur poshtë pohimin tuaj. Por meqenëse ju keni peshoren tuaj “filmash konspirativë” unë kam peshoren time që është reale: 15 vota për PS.
12. Tradhtia e fundit e Edi Ramës e ka emrin Kashar.
Gjithmonë më ka çuditur ekzaltimi i përfaqësuesve të LSI për humbjen e së majtës në Kashar. Ky ekzaltim pas rreshtimit të kandidatëve, kur në fakt nuk ishte një votim proporcional, është ajo që forcon Berishën. Nuk marr përsipër të flas për deputetët që ishin aty dhe se çfarë ofruan për votuesit.
Gjuha e përdorur në renditjen e “12 tradhtive” ia kalon dhe shfaqjes që fundit të Berishës, që turpëroi të madh e të vogël në të gjithë Shqipërinë. Ajo shfaqje e turpshme ishte live, pas një përplasje me deputetin e opozitës dhe nga njeriu model i shfytyrimit të vlerave njerëzore. Po ky fjalor i këtij deputeti që është ulur për të shkruar me mendje të ftohtë si pritet? Të shtosh që delete në kompjuter është gjë e thjeshtë, për të mos u barazuar me fjalorin berishjan. Ky është opozitarizmi që kërkohet?
*Anëtare e Kryesisë së PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›