E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësit e pasqyrave në pranga me drogë

TIRANE - Arrestohen duke vjedhur pasqyrat e një mjeti luksoz, katër të rinj që posedonin drogë. 

Policia e kryeqytetit pohon se kanë rënë në pranga: Hasan Silo, 22 vjeç; Gazmir Halilaj, 24 vjeç; Amarildo Muka, 27 vjeç, si dhe i mituri K.S., 16 vjeç, teksa po vidhnin pasqyrat e një mjeti tip "Benz". Arrestimi i tyre u bë në flagrancë në Rrugën e Durrësit, pranë pallateve "Kajtazi", teksa po çmontonin pasqyrat. Policët e mbërritur në vendngjarje bllokuan edhe një motoçikletë më të cilën qarkullonin të rinjtë, ndërsa pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar në këtë mjet, u gjetën gjashtë doza lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, pesha e së cilës shkon në 11.2 gramë. Kurse pas shoqërimit së të rinjve në komisariatin e policisë dhe verifikimeve të kryera aty, rezultoi se Muka ishte dënuar më parë pasi ishte gjetur fajtor për "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor". Pas kësaj, policia i kaloi Prokurorisë materialet në ngarkim të tyre, të dyshuar për konsumim të veprave penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike" dhe "vjedhjes". Gjatë paradites së sotme, pritet që personat e lartpërmendur të përballen me këtë akuzë në gjykatën e kryeqytetit.       f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›