E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bollano deputet

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, nuk e përjashton si mundësi përfshirjen në listën me 140 kandidatë për deputetë të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano.

Kryetari i partisë Dule, në një bisedë me “Korrierin” thotë se nuk përjashtohet mundësia që Bollano të jetë në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e vitit 2009. Dule u mundua megjithatë të përmbahet nga deklarimi i prerë për Bollanon, por ai nuk e shmangu mundësinë që i kritikuari për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në zonën e Himarës, të përfaqësohet në Kuvend. Bollano do të përfshihet në listën prej 140 kandidatësh që PBDNJ-ja ka përgatitur në mënyrë paraprake, pasi ai mund të përfitojë edhe si kryetar i OMONIA-s, organizata që me statut ka pjesën dërrmuese të kryesisë së forcës që udhëheq Dule. Megjithatë, Dule nuk nxitohet kur thotë, se gjithçka është në kuadrin e hipotezave dhe nuk mund të merret si përfundimtare. “Ne nuk e kemi luksin e dypunësimit. Edhe mund të ketë përfaqësues që janë në pushtetin vendor. Përjashtime gjithnjë mund të ketë, por rregulli është rregull dhe përjashtimi është përjashtim”, thotë Dule, duke shtuar se në listë kandidaturat janë thjesht paraprake dhe hipotetike. I pyetur në mënyrë direkte nëse Bollano do të jetë në listën e kandidatëve të PBDNJ-së për zgjedhjet e ardhshme, Dule thotë thjesht: “Asgjë nuk mund të përjashtohet si mundësi”. Megjithatë, ai thotë se në pranverën e vitit 2009, kohë në të cilën do të jetë fushata dhe zgjedhjet, do të ketë mjaft surpriza. Kështu, në rast se Bollano zyrtarizohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme, në rast fitoreje ai do të duhet të lërë postin e kryebashkiakut të Himarës dhe të vijojë me veprimtarinë parlamentare. Ndërkaq, vetë Dule thotë se në zgjedhjet e ardhshme do të dalë me 140 kandidatë, duke lënë të kuptohet edhe se PBDNJ-ja do të vijojë traditën e daljes në zgjedhje vetëm, dhe duke lidhur koalicione paszgjedhore. “PBDNJ-ja përgatitet për të kandiduar me 100 për qind të potencialeve elektorale të vendit”, thotë Dule, duke paralajmëruar se fushata e ardhshme do të jetë ndryshe nga herët e tjera për këtë parti. Kjo edhe për shkak se, sipas Dules, PBDNJ-ja do të ketë një program që do të bëhet pjesë e debatit politik. “Përgatitja jonë është në nivele të ndryshme nga ajo e forcave të tjera politike. Dëshirojmë të ballafaqohemi me një program cilësor, i cili do të ofrojë zgjidhje dhe realitete për vendin tonë. Dhe pas asaj do të ndjekim të gjitha fazat e nevojshme, të cilat do t’i bëjmë pjesë të debatit politik këtë program”, shprehet Dule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›