E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha urdhëron biznes brenda familjes

Pas dëbimit të FMN-së, një tjetër ëndërr fiskale me karakter taksativ ka pushtuar mendjen e kryeministrit. Të gjithë kryefamiljarët do të paguajnë sigurime shoqërore rreth 80 dollarë në vit për secilin pjesëtar tjetër të papunë të familjes

Nëse jeni kryefamiljarë dhe në shtëpi mbani gruan apo vajzën tuaj që nuk punon, ajo do të cilësohet si punëtore e juaja, ndërkohë që do të jeni i detyruar t’i paguani edhe një sigurim vjetor. Kjo është ëndrra e radhës që duket se ka parë kryeministri Berisha, i cili kërkon të krijojë biznese brenda familjeve shqiptare, ku të papunët do të cilësohen si argatët e kryefamiljarit. Mund të duket si përrallë, por për kreun e qeverisë është një minierë ari, pasi futja në fuqi e një vendimi të tillë do ta pasuronte mjaft arkën e shtetit. Por për Berishën kjo nuk ka si qëllim rritjen e të ardhurave, diçka që ai e përdori shpesh gjatë fjalës së tij të djeshme në Këshillin e Ministrave, por synon vetëm pension për të gjithë “punëtorët” e familjes. Këtu kryeministri cilëson veçanërisht shtëpiaket që gatuajnë apo vajzat që bëjnë punët e përditshme të një shtëpie. Tashmë që edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u dëbua nga Shqipëria, kjo ëndërr e kryeministrit, si edhe shumë ëndrra të tjera mund të realizohen, kjo edhe nëse shihen me sy hapur. Duke kërkuar nga kryefamiljarët regjistrimin e këtyre punonjësve, Berisha shpjegoi se pagesa vjetore që do të bëhet nga punëdhënësit është simbolike dhe nuk do të rëndojë buxhetin e familjeve. “Ky vendim nuk ka në mënyrë kategorike qëllimin e përfitimit të arkës së këtij shteti, por ka si qëllim vendosjen e dinjitetit njerëzor, të trajtimit human që meritojnë këta njerëz. Punëdhënësi do të paguajë gjithsej rreth 80 dollarë në vit, gjë e cila nuk rëndon buxhetin e tij, por legjitimon dhe krijon një mundësi pensioni për këtë kategori punonjësish”, tha dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave Sali Berisha.

Punëtorë me kohë të pjesshme

Duket se qeveria është treguar zemërgjerë për këtë kategori të re taksapaguesish, sepse shuma që do t’u vilet atyre do të jetë minimale, pasi cilësimi do të bëhet si punëtorë me kohë të pjesshme. “Në tërësi këto janë gra dhe vajza, të cilat e bëjnë këtë punë për të përballuar jetën e tyre të përditshme. Unë shpresoj që të gjithë kryefamiljarët, të cilët asistohen nga këta punëtorë, t’i regjistrojnë ata, sepse është një çështje prestigji, dinjiteti dhe raporti njerëzor. Kemi zgjedhur formën më minimale të detyrimit. I kemi konsideruar ata punonjës me kohë të pjesshme”, tha dje kryeministri Berisha. Sipas tij, kjo shumë “e papërfillshme” vjen si pasojë e vendosjes si taksë vetëm të sigurimit shoqëror. “Kemi vendosur vetëm sigurimin shoqëror dhe asgjë tjetër ndaj tyre dhe unë shpresoj që të ketë një mirëkuptim, në mënyrë që borgjezia e re të mos harrojë se karakteri social dhe fryma sociale duhet të jetë një nga tiparet më të rëndësishme të moralit të saj”, përfundoi kryeministri.

Sa fiton arka e shtetit?

Edhe pse gjatë fjalimit të tij Berisha theksoi shpesh se një vendim i tillë nuk merret për të pasuruar arkën e shtetit, kalkulimet tregojnë të kundërtën. Kështu, duke iu referuar statistikave të zyrave rajonale të punësimit, rezulton se rreth 1 milion shqiptarë cilësohen si të papunë, ku pjesën më të madhe e përbëjnë femrat. Duke i bashkangjitur këtij numri vlerën prej 80 dollarësh në vit që kërkon të vjelë kryeministri, rezulton se përfitimi në buxhet do të ishte rreth 80 milionë dollarë në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›