E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i tmerrit

Evropa kujtoi dje 90-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Udhëheqës nga vendet e përfshira në luftë, e që tani janë vende aleate, u mblodhën në Verdun të Francës, vend kur në vitin 1916 gjatë betejës së famshme, 300 mijë njerëz u masakruan gjatë 11 muajve të luftës së përgjakshme të transheve. Ceremoni përkujtimore u mbajtën në qytete të ndryshme të Britanisë, Francës e Gjermanisë. Kjo luftë e tmerrshme në zemër të Evropës u kushtoi jetën milionave evropianëve. Në Luftën e Parë Botërore, që zgjati nga 1914 deri në 1918, Gjermania humbi 1.9 milionë trupa, Rusia 1.7 milionë, Franca 1.4 milionë, Perandoria Austro-Hungareze 1 milion dhe Britania 760 mijë ushtarë. Fundi i Luftës së Parë Botërore shënoi edhe ndryshimin e hartës politike të Evropës.

Presidenti francez, Nikola Sarkozi, së bashku me mjaft përfaqësues nga shtetet dikur aleate, si edhe kryetarin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso (Jose Manuel Barroso) dhe presidentin e Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pöttering, përkujtuan me një ceremoni në Duamontin francez në afërsi të Verdunit të 150.000 ushtarët francezë dhe ata të panjohur që ranë në Luftën e Parë Botërore. “90 vjet pas luftës, shtetet evropiane kanë ndërtuar një union stabël, që bazohet në pajtimin dhe respektin e vlerave fondamentale”, ka deklaruar presidenti francez. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është ftuar për festimin e pavarësisë së Polonisë dhe fundit të Luftës së Parë Botërore në Varshavë. Përkujtimoren në Verdun, simbol i fundit të luftës, e vizitojnë mjaft vizitorë. “Unë kam një djalë, që në atë kohë mund të kishte humbur jetën në luftë. Prandaj ndaj dhembjen me nënat që atëherë humbën djemtë dhe bijtë e tyre në luftë”, thotë një vizitore. Ndërsa Henri Ellinghem (Henry Allingham), njëri nga tre ushtarët anglezë të mbetur nga koha e luftës, u thotë reporterëve: “Shpresoj të mos ketë më kurrë luftë”. Ushtari i fundit francez i mbetur nga Lufta e Parë Botërore vdiq në mars të këtij viti. Fundi i Luftës së Parë Botërore u vendos në një pyll pranë një qyteze të vogël në Francë, Compiegne. Pikërisht ushtria gjermane iu nënshtrua pa kushte në 11 nëntor 1918 trupave të aleancës së ngritur mes anglezëve, francezëve dhe amerikanëve. Pas disa bisedimesh në mesnatë, sekretari gjerman i shtetit, Ercberger (Mathias Erzberger) dhe shef i delegacionit gjerman nënshkroi në 05:20 të mëngjesit kapitullimin. Pas katër dekadash mori kështu fund lufta që u mori jetën më shumë se 15 milionë vetëve. Pas luftës, harta e Evropës ndryshoi rrënjësisht. U shembën perandori dhe u ngritën shtete të reja. Lufta e Parë Botërore shënoi fundin e perandorisë austro-hungareze dhe asaj osmane. Perandoria cariste në Rusi ishte rrëzuar një vit më parë me revolucionin e tetorit. Ndërkohë që shtete të reja shtuan hartën e Evropës, si Çekosllovakia, Polonia, Hungaria dhe Jugosllavia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›