Të vdesësh pranë Tiranës për pak km rrugë dhe një mjek
Me banorët pas malit të Dajtit. Tre mijë banorët që janë lënë jashtë hartës së investimeve të qeverisë. Fshatra të izoluar për pak kilometra rrugë, ku njerëzit vdesin për një mjek dhe ku të mbeturit kërkojnë të mos lënë tokat e të parëveNë hartën e Shqipërisë, komuna e Xibrit është në kufirin administrativ me rrethin e Tiranës, komunën e Zall-Bastarit, një njollë ngjyrë pane, që për INSTAT-in do të thotë se ka një popullsi deri në 4312 persona. Kjo është harta qeveritare. Për dhjetëra dekada Xibri, megjithëse në kufi me Tiranën, është me zonën e Matit. Është si të kapësh veshin e djathtë me dorën e majtë. Për të shkuar nga Xibri në Burrel duhen pesë orë. Në një rrugë të tmerrshme që e kalojnë vetëm makina të larta.
Për të shkuar në qendrën e komunës së Xibrit ka edhe një rrugë tjetër; ajo e shkurtra që i sjell 3000 banorët për dy orë në Tiranë. Dhe, shkurtësi këtu do të thotë jetë. Kalohet nga Dajti, duke devijuar rrugën që të çon te parku kombëtar i Dajtit. Një rrugë ku asfalti është prishur nga makinat e tonazhit të lartë që marrin inerte nga guroret që kafshojnë malin e Dajtit. Pastaj rruga që shtroi NATO, pak kilometra deri afër një reparti ushtarak. Pastaj vijon në rrugë të denjë për garat rally me makina fuoristrada. "Prit ka edhe më keq"- të jep dekurajon deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi. Rruga e re është një shteg njëkalimësh që dredhon shpatit të malit. Sedimente prej shtufi, një lloj formacioni shkëmbor që kur ngjeshet nuk luan më. Janë shtatë kilometra të hapura, ato që kanë ngritur në këmbë fshatarët e Xibrit, që kanë xhelozuar edhe ata të anës tjetër që duan një rrugë të tillë. Furtuna e një nate më parë e ka bllokuar rrugën në disa vende, me rrasa shtufi që zënë gjysmën e të vetmes korsi. Minxhozi është i zgjedhuri i zonës dhe sot ka një ditë të shënuar. Do të përshkojë i pari rrugën që sapo ka hapur traktori i ushtrisë dhe kontributi i gjithë banorëve të zonës. Është në timonin e një makine "Toyota Land Cruiser", prodhim vitit 1992, ato që i erdhën parlamentit shqiptar 16 vite më parë. Një bishë me motor nafte, pa balestra, por vetëm me susta dhe amortizatorë për të minimizuar lëkundjet. Jemi nisur nga Tirana në ora 8:45 dhe në orën 10:51, makina e kuvendit mbetet në llucë, sapo kalon përroin e Gjatapicit, një rrëkeje uji që vjen nga mali.Duhet forca e 10 fshatarëve që makina të dalë nga balta e ngjeshur, në atë që vendësit e quajnë "xhadja e Kasharit". Miting spontan për rrugën e re. Burrat e zonës janë të ekzaltuar. Sula ka dhënë 800 mijë lekë të vjetra. Ai ka parë botë me sy, sepse ka qenë për haxhillëk në Mekë. Por edhe shumica e banorëve çfarë kanë pasur, dikush ka sjellë 20 litra naftë me bidon nga Burreli apo Klosi, dikush ka dhënë ushqime. Gjithsej 8 milionë lekë të vjetra.
Janë shumë për komunën Xibër dhe katër fshatrat e saj Xibër-Murriz, Xibër-Hanë, Shkallë dhe Ketë. Sepse varfëria është në kulm. Banorët mbushin duart me arra, shpërndajnë duhan të keq dhe bëjnë shumë zhurmë. Tani nga Xibri duke kaluar në Tiranë, do të duhen vetëm dy orë. Rruga që kalon sipër është 12 kilometra më e gjatë, por në dimrin e gjatë ajo bëhet e pakalueshme nga dëbora."Me i thënë shoferit më ço në Xibër, duhet me pre kostumin si për Francë", thotë batutën e parë deputeti i zonës.
Komuniteti donatorTurma e mbledhur rreth deputetit të kujton ato filmat e real-socit, ku fshati mobilizohet për punë vullnetare. Tani duhen disa tombina, përmes të cilave do të kalojnë ujërat e përrenjve, nja 30 makina zhavorr, gjithë-gjithë edhe 3 milionë lekë të vjetra. "Donatorët kryesorë jeni ju",thotë deputeti, zona elektorale e të cilit shtrihet nga Xibri deri në Ulëz, në kufi me Milotin. 55-vjeçari i diplomuar për anglisht, para se të bëhej deputeti i zonës elektorale numër 18, pas zgjedhjeve të 2005 kishte shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Danimarkë. Është ndër deputetët e parë që shoqëron kryetarin e PS-së, Edi Rama, në turret e tij të takimeve me elektoratin. Prej disa muajsh, kryetari i PS-së, nuk ka lënë vend të skajshëm të Shqipërisë pa vajtur. Takon Shqipërinë e vërtetë, ata që bëjnë llogaritë me skamjen dhe prej andej sulmon politikën e vjetër, atë që ka sunduar shqiptarët prej vitit 1991.
Kur u zgjodh deputet i PS-së, gjeti në zonë kryetarin e komunës të zgjedhur nga PD-ja. Në këto zona historikisht fiton e djathta. Deputeti i zonës, thotë se ishte e mira e komunitetit që kishte zgjedhur kryetarin e komunës që të bashkëpunohej. Petrit Hoxha, një burrë rreth të dyzetave, me tipare të çelëta konsultohet me deputetin socialist dhe bashkohen në një pikë: qeveritë nuk duan t'ia dinë për Xibrin, ndaj duhet të punojnë vetë për të. Në kafenë e fshatit janë mbledhur nga të gjitha partitë dhe aty deputeti provokon: "Unë them të ketë vetëm dy parti- njëra e Punëtorëve dhe tjetra e dembelëve".Deputeti solli një traktor të ushtrisë, nga Fushë-Kruja, banorët e mbajtën me karburant, ndihmuan edhe për ndërrimin e pjesëve të këmbimit, punuan krah për krah.
Në Xibër, banorët thonë se qeveria e parë e PD-së hodhi qindra milionë lekë që nuk dihet se ku shkuan dhe u bë një rrugë copë-copë që thuhet se ka kushtuar 240 milionë lekë të vjetra. Minxhozi flet me neveri për tenderët. "Nëse do që të mos e bësh një punë, bëj tenderët".Gëzimi është veteriner dhe ndër të paktët banorë me arsim të lartë që nuk ka ikur nga fshati. Ai kërkon investime të mëtejshme për rrugën nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Por Minxhozi kundërshton: "Fondi Shqiptar i Zhvillimit për 1 km rrugë kërkon 100 milionë lekë. Këtu janë bërë 13 kilometra rrugë. Bëni llogarinë se sa do të dilte fatura dhe askush nuk do të vinte dorën për rrugën tuaj. Pastaj brenda kësaj fature ju do të paguanit edhe korrupsionin, fitimet e firmës etj, etj".
42-vjeçari që ka vendosur të rrisë fëmijët në vendlindjeShefik Beshiri: Nuk iki prej këtuShefik Beshiri, 42 vjeç, është një burrë i gjatë dhe hollak, flokë me onde dhe fytyrë të qeshur. Jeta i ka dhënë katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza. "Fëmijët janë si filizat, nëse do të kesh pemë nesër, duhet të mbjellësh sot", thotë burri me fytyrën e rreshkur nga dielli dhe era e malit.
Ka qenë një herë emigrant në Greqi, disa vite më parë dhe pasi e kapën pak në thellësi dhe e kthyen. Ka vendosur të ikë nga vendlindja. Thotë se aty tani s'kanë mbetur as 3 mijë banorë, kur dy dekada më parë kishte mbi 10 herë më shumë."Këtu merremi me blegtori, kam nja dy lopë dhe dele, por e kemi keq për kullota", thotë Beshiri. Zona është e shquar edhe për prodhimin e patateve, por edhe për arra me lëvozhgë të butë. Prodhimet diktohen nga tregu i shitjes. Dhe duke mos pasur mundësi t'i çojnë deri në treg, ata mundohen të prodhojnë sa më pak, që të mos i hedhin kanaleve prodhimet e kalbura nga mosshitja.
Shumica e të afërmve dhe të njohurve të tij janë larguar, ca në ish-kënetën e Durrësit, Bathore, Babrru, Tiranë, ca edhe në Burrel, por ai thotë se nuk do të lëvizë nga ky vend, edhe pse jeta për ta është e vështirë.Fshati i izoluar lutje popullore për një traktor të ushtrisëBanorët e Ketës, 3 orë rrugë në këmbë Salë Muça është nisur herët në mëngjes, nga shtëpia e tij në fshatin Ketë. Pas tre orësh arrin në kafen e fshatit Xibër, përballë shkollës së mesme të zonës. Është një burrë me fytyrë të lëmuar dhe që buron mirësi. I ndrojtur dhe me fytyrën e përskuqur merr një raki dhe bën shëndet ne deputetin dhe nuk ia ndan vështrimin, si të një fëmije. Sy lutës. "Sa orë ke bërë për të ardhur këtu?"- e pyet deputeti Minxhozi. -"2, o deputet"-përgjigjet 60 vjeçari dhe ul kokën i përskuqur.-Pse nuk thua 3, apo ke fluturu? –e ngacmon deputeti.Salë Muça, kryeplaku i 600 banorëve, nuk përgjigjet. Por pasi dalin nga kafeneja, Sala nuk ia lëshon krahun deputetit."Të lutem shumë, na e sill traktorin vetëm pak ditë".-Do të përpiqem- ia kthen deputeti, që nuk mundet t'i thotë "jo".Sala gjen forca dhe bashkë me një djalë të ri e marrin mënjanë deputetin. Janë gati t'i ulen në gjunjë, bëjnë gjeste lutëse fëmijësh. Traktorin, traktorin, vetëm pak ditë, sa të hapë një trase dhe pastaj t'i hyjë fshatit me kazma dhe lopata. Keta është një fshat i ngritur në buzë të malit. Nga rruga që lë qendrën e komunës së Xibrit duket vetëm njëra lagje e shtëpive të ngulura në brinjë të malit. Një rrugë e hapur nga traktori do t'i lidhte shumë shkurt me rrugën kryesore që të çon për në Tiranë. Është rruga e jetës dhe Salë Muça do që t'ia arrijë me çdo kusht: të sjellë traktorin dhe t'u japë rrugën 600 bashkëfshatarëve të tij.Rasti tragjik i Shkurta Dalipit dhe i fshatrave prej 3 vitesh pa mjekë
Vdekja e 18-vjeçares, banorët akuza mjekëve
Shkurta Dalipi ishte vetëm 18 vjeç. Vdiq pa i mbushur. Jetën e pajetuar e kaloi në Xibër-Murriz, në një familje të kupëtur. Vdiq nga veshkat. Xhaxhai i saj, flet me dhimbje. "I kishte veshkat hi", thotë për mbesën. Shkurta doli për herë të parë dhe të fundit në jetën e saj të shkurtër në televizionet shqiptare, ku jepen vazhdimisht portrete fëmijësh të sëmurë, që vijnë nga familje të skamura dhe shpresën e fundit e kanë te Ministria e Shëndetësisë për t'i dërguar jashtë, apo te të kamurit bujarë që të mbledhin ca euro për t'u kuruar. Shkurta nuk preku askënd me apelin e saj, megjithëse shikuesit e mbajnë mend shumë mirë atë vajzë të parritur, me fytyrë meite që kërkonte ndihmë për të jetuar. Familja nuk bëri asgjë, sepse nuk kishte mundësi. Qemal Minxhozi mori një makinë ushtrie nga Spitali Ushtarak i Tiranës për të sjellë kufomën e 18-vjeçares në banesën e fundit. Gjesti i deputetit, preku shumë banorë të zonës. Veliu që menaxhon një klub të varfër fshati, aty ku ndahet rruga për në Shëngjergj dhe Xibër, thotë se ka dhënë 10 mijë lekë të vjetra, por sjellja e arkivolit me makinën e ushtrisë ishte ndihma më e madhe që mund t'i jepet një familjeje, si ajo e Shkurta Dalipit.
3 vite pa mjek
Shkurta ndoshta do të ishte gjallë, sikur komuna të kishte shërbim shëndetësor.
Fshatarët janë të revoltuar. Kujtojnë me nostalgji kohën e diktaturës, kur partia i dënonte mjekët që largoheshin nga detyra. Salë Muça, kryeplaku i fshatit Ketë, thotë se 600 bashkëfshatarët e tij i ruan zoti. Herën e fundit, një të afërmi të tij i plasi stomaku. Sala mori në celular deputetin dhe pasi e morën të sëmurin 2 orë me barelë, dolën në rrugë e pas tre orësh e çuan me një fugon për në spital. "Në Ketë ka tre vite që nuk ka ardhur mjeku", thotë Sala.
Patrit Hoxha, kryetari i komunës së Xibrit ndjehet i zënë në faj, por kërkon ndëshkim ligjor për dezertorët. Ai nuk ka autoritetin si drejtues vendor t'i kërkojë llogari mjekut, sepse ai varet nga Drejtoria Rajonale Shëndetësore. "Nuk janë mjekë, janë njerëz të pashpirtë", thotë kryetari i komunës. Mjeku i zonës vjen ndonjëherë, megjithëse merr rrogë vështirësie 720 mijë lekë të vjetra, sa dyfishi i rrogës së kryetarit të komunës. "Unë kam më shumë besim te ky djali i ri këtu", thotë kryetari i komunës për një 25-vjeçar. Djali ka mbaruar infermierinë e lartë, por nuk arrin të gjejë vend pune për t'u shërbyer bashkëvendësve, sepse Drejtoria e Shëndetit i thotë se nuk ka vend pune. Në qendrën shëndetësore vijon të punojë vetëm mamia.
Ka propozime të ndryshme për t'i dhënë fund kësaj praktike, duke diplomuar bijtë e zonës që do t'u shërbenin më pas për shëndetin dhe arsimimin e banorëve të zonës.
"Jabanxhinjtë nuk ta bëjnë punën, siç e bëjnë bijtë tanë". Por askush nuk dëgjon, ndërsa deputeti premton se do ta ngrejë si çështje në Kuvend.
Shkolla e Xibrit, gjysma e maturantëve shkojnë në Universitet
Shefqeti, drejtori i shkollës së mesme të Xibrit është krenar për emrin e shkollës. Flet me statistika dhe gjysma e maturantëve që nxjerr shkolla shkojnë në universitet. Është një rekord që Xibri vijon ta mbajë, duke mundur edhe gjimnazin e Burrelit. Kjo është shkolla e mesme për të gjithë komunën dhe nxënësve u duhet të udhëtojnë dy orë për të ardhur, dhe po kaq në kthim. Në mesditë udhët e komunës janë të mbushura me grupe nxënësish që kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Fëmijë të shëndetshëm, sy të qeshur. 25 nxënës të shkollës së mesme vijnë nga Guri i Bardhë, dy orë larg, në shi, në borë dhe në diell. Fëmijëve të vegjël u rëndon më shumë çanta me libra. Deputeti Minxhozi e quan papërgjegjshmëri të Ministrisë së Arsimit dhe të Drejtorisë Arsimore, faktin që nuk vihet një fugon për nxënësit. "Nuk do të kushtonte më shumë se 100 mijë lekë të reja në muaj, por ia vlen për këta fëmijë që duan shkollën më shumë se gjithçka".