E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e spiunuar nga britanikët

Arkiva / Shqipëria në syrin e Shërbimeve Sekrete Britanike dhe Amerikane, SOE dhe OSS. Kush ishin disa nga pionierët e këtij spiunazhi që në fillim të shekullit XX e deri me ardhjen në fuqi të komunistëve
 
Kush i solli në pushtet komunistët. Një pyetje që akoma dhe sot debatohet mjaft në qarqet historike të shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane
Shqipëria e dalë nga Lufta e Parë Botërore, ishte shumë pak e njohur në arenën ndërkombëtare megjithëse aktiviteti diplomatik i Fuqive të Mëdha ndaj Shtetit të sapokrijur nga rrënojat e Perandorisë Otomane ishte mjaft i dendur. Një sërë palësh ndërluftuese kishin shkelur në territoret shqiptare duke lënë pas jo vetëm gjurmët e tyre por edhe një sërë dokumentash mbi çështjet luftarake për të cilat ato interesoheshin.Arkivat britanike, një pjesë tashmë e hapur për studiuesit e kësaj periudhe na informojnë se shërbimet sekrete britanike gjatë periudhës së fillimit të 1900-ës e deri më 1920 nuk kishin aktivitet të rëndësishëm të të njëjtit nivel me Shërbimin diplomatik në këtë vend të vogël Ballkanik i cili nuk paraqeste asnjë interes të mjaftueshëm për këto shërbime.
MI6 apo Shërbimi Sekret Anglez e ka zanafillën në vitin 1909 kur dy Shërbimet kryesore të inteligjencës britanike u bashkuan për të krijuar një Shërbim më efikas ndaj ndryshimeve që po ndodhnin në politikën angleze jo vetëm në territoret Koloniale por edhe në Europë. Megjithëse Arkivat Britanike kanë një sasi shumë të pakët dokumentacioni të kësaj kohe për Shqipërinë mund të thuhet se ky dokumentacion është mjaft interesant. Në të ka shumë informacione dhe raporte mbi gjendjen e saj politike dhe ekonomike si dhe mbi përplasjet e vazhdueshme të fqinjëve për të përfituar territore apo influencë mbi politikanët shqiptarë të kohës.
Fillimet e Shtetit Shqiptar përveç disa anglezëve eksentrikë të cilët dëshironin të njihnin më afër jetën e popullsisë malore, zakonet dhe kulturën e panjohur deri më atëherë, nuk kishin ndeshur akoma oficerët e Shërbimit Inteligjent Anglez apo i njohur ndryshe edhe si SIS.Nga dokumentet arkivore të shfletuara deri më tani nuk kemi ndonjë provë të saktë për të na bërë të besojmë se Shërbimet Inteligjente Britanike kishin ndonjë rrjet informacioni të ngritur deri në mesin e viteve 1920-të. Ky fakt tregon qartë se realiteti shqiptar nuk ngrinte ndonjë pikpyetje të madhe strategjike për politikbërësit e Londrës të cilët pas Luftës së Parë ishin më shumë të interesuar për të ndarë territoret e ish Perandorisë Otomane të Lindjes së Mesme, territore të cilat sapo kishin dhënë edhe shenjat e para të pasurive të naftës. Ruajtja e rrugëve detare drejt kolonive të tyre ishte një preokupim mjaft i madh dhe konfliktet e shpeshta politike Shqiptare nuk ngjallnin ndonjë interest të veçantë për diplomacinë angleze.
Përveç ndonjë shkrimi të rrallë në shtypin britanik mbi Shqipërinë e asaj kohe, në përgjithësi publiku anglez nuk kishte ndonjë ide të qartë se çfarë ndodhte në vendin e shqipeve e cila brenda disa viteve kaloi një periudhë të vështirë politike. Megjithëse britanikët ishin përfshirë në disa prej çështjeve të kufijve shqiptarë, me fqinjët e tij përsëri nuk mund të themi se interesi ishte në një shkallë të atillë sa të kthente vëmendjen e Shërbimit Inteligjent ndaj Shtetit Shqiptar.Po kështu mund të thuhet edhe për politikën e Amerikës e cila si një shtet që akoma nuk e kishte vendosur veten në rolin e një mbikëqyrësi të pozicioneve strategjike globale, nuk kishte asnjë interest imediat mbi Ballkanin dhe në veçanti mbi Shqipërinë. Gjithsesi pas krijimi të një qeverie më të stabilizuar dhe me ardhjen e Zogut në pushtet, britanikët në mënyrë mjaft periferike janë interesuar edhe për një informacion më të përgjithshëm mbi Mbreterinë Shqiptare. Shikohet një volum pak më i madh i raporteve që vijnë nga Shqipëria nëpërmjet kanaleve diplomatike.
Britanikët dhe amerikanët hapën legatat e tyre në Shqipëri në vitet 1920 por me sa duket nga dokumentacioni që kemi në dispozicion, personeli diplomatik nuk kishte lidhje të qëndrueshme me shërbimet sekrete dhe raportet e tyre kalonin nëpërmjet kanaleve zyrtare. Sigurisht që në këto raporte ka të dhëna mbi gjendjen politike, ushtarake por edhe thasheshemet e Oborrit të Zogut që gjithsesi mbeten në kornizën e raporteve diplomatike. Aty shpesh citohen edhe emrat e burimit të informacioneve të cilët në përgjithësi janë persona pranë Oborrit të Zogut të cilët kalonin informacion për diplomatët britanikë.Me ardhjen në fuqi të Musolinit në Itali dhe në veçanti me përpjekjen e Italisë për tu kthyer në një superfuqi europiane, sigurisht që interesimi britanik drejt Ballkanit u rrit pasi Ballkani shikohej si një fushë logjike e ekspansionit italian. Për një periudhë kohe anglezët e panë Shqipërinë si fushe logjike të influencës italiane aq më tepër kur dihej se Mbreti Zog po binte gjithnjë e më tepër nën presionin ekonomiko-ushtarak të fashizmit.
Me rritjen e influencës italiane në Shqipëri dhe penetrimit të Shërbimit Sekret Italian në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare në vitet 30-të, kemi praninë e disa elementeve angleze në shoqërinë shqiptare, elemente të cilët për rolin dhe aktivitetin në radhët e Shërbimit Inteligjent Anglez lënë të kuptosh se ardhja e tyre në Shqipëri nuk ka qënë e rastësishme.
Në këtë rast do të veçoja Aubrey HERBERT, një aristokrat anglez, oficer i Shërbimit Inteligjent Ushtarak me qendër në Kajro. Hebert, djali i dytë i Erlit IV Carnavon, (vëllai i tij Lordi Carnavon ishte zbuluesi i famshëm i varrit të faraonit egjiptian Tutenkhamun), vinte nga një familje shumë e pasur dhe kishte eksperiencë në Lindjen e Mesme. Fliste disa gjuhë përfshirë këtu arabishten por edhe shqipen. Herbert u angazhua shumë në fatin e Shqipërisë para dhe pas Luftës së parë Botërore dhe dosja e tij ka një sërë raportesh interesante mbi gjendjen e Shqipërisë para viteve 1920, por si mik i sinqertë i Shqipërisë ai nuk duket se ka pasur ndonjë tentativë për të krijuar një rrjet informacioni me karakter politik.S. Clarke, një person shumë enigmatik pasi fati i tij tragjik dhe vdekja e parakohshme na bëjnë të spekulojmë mbi qëllimin e vërtetë në interesin që tregoi mbi Shqipërinë e Jugut. Arkeolog i cili sapo kishte fituar një burse studimi në Shkollën Britanike të Athinës, kishte hyrë në Shqipëri në fund të viteve 1920. S.Clark përveç interesimit mbi arkeologjinë shqiptare mund të këtë qënë me mision zbulimi. Ditari i tij personal përmban në detaje shumë të dhëna të karakterit ushtarak, topografik, ekonomik të të gjithë zonës së Jugut të Shqipërisë. Në ditarin e tij personal i pa njohur për publikun deri me sot ka pasazhe të qarta të cilat i referohen shënimeve të tij për Raporte më të zgjeruara mbi viset e Jugut Shqiptar.Clark vdiq shumë i ri në një aksident në Athinë dhe shënimet e tij me sa duket, janë shfrytëzuar nga një arkeolog tjetër i cili do të bëhej një prej autoriteteve më të rëndësishëm të arkeologjisë britanike, Nicholas Hamond.
Nicholas Hamond-i, filohelen tradicional, njohës i mirë i Epirit dhe përsonalitet i arkeologjisë angleze, ndjek intenerarin e Clark-ut dhe viziton gati të njëjtat vende në fillim të vitit 1930. Shënimet e tij të hershme kanë shumë të dhëna topografike me interes ushtarak dhe siç do të shikohet më vonë nga zhvillimi i ngjarjeve Hamond është ngarkuar me mision nga Sherbimet Sekrete për të hyrë në Shqipëri gjatë periudhës së okupimit fashist. Emrin e Hamond-it do ta hasim në një sërë raportesh që ai i dërgonte zbulimit anglez nga Greqia.
Gjithsesi shërbimet angleze filluan të kishin një informacion paksa më të mirë kur në fund të viteve 1920, Mbreti Zog për të krijuar një forcë profesioniste ushtarake mori në Shërbimin e tij 12 ish ushtarakë britanikë.Gjeneral Majori Sir Jocelyn Percy, një ish ushtarak karriere pasi kishte luftuar në shumë vende të kolonive britanike ishte larguar nga ushtria për t'ju kushtuar biznesit të tij privat. Kishte jetuar për disa vjet në Kanada ku kishte provuar pa sukses të krijonte një fermë bujqësore. I rikthyer në Londër në mesin e viteve 1920 me të marrë propozimin e Mbreti Zog për t'u vënë në krye të Xhandarmarisë Shqiptare, erdhi në Shqipëri së bashku me një duzinë oficerësh të cilet i rekrutoi vetë në Angli.
Sir Jocelyn Percy pati një karriere shumë të rëndësishme në krye të Xhandarmarisë së Zogut dhe ishte një figurë që megjithëse italianët nuk e donin në detyrën që kryente, e respektonin për profesionalizmin.Sir Jocelyn Percy gjatë karrierës ushtarake kishte pasur shumë kontakte me një sërë departamentesh të ushtrisë britanike. Mesa duket nga dosja e tij ai nuk ka pasur marrëdhënie me SIS apo Shërbimin e Zbulimit Ushtarak Anglez gjatë ushtrimit të detyrës së tij në radhët e xhandarmarisë shqiptare. Por gjithsesi në fundin e viteve 30 kur influenca italiane ishte tashmë në kulmin e saj edhe në radhet e ushtrisë shqiptare, Sir Jocely Percy ishte në kontakt të vazhdueshëm me Zyrën sekrete MIR, një degë e Shërbimit të zbulimit ushtarak e cila ishte krijuar për të kryer sabotime dhe luftë jo konvencionale. Mesa duket Sir Percy kishte kishte dhënë informacione me karakter ushtarak mbi mundësitë e italianëve për të sulmuar Jugosllavinë apo edhe Greqinë. Sir Jocelyn Percy për një farë kohe ishte konsideruar si një kandidat potencial për të drejtuar përpjekjet britanike të 1941 për të infiltruar një mori agjentësh në Shqipëri, por mosha e tij e madhe nuk e lejonte për t'i hyrë një aventure të re.
Kolonel Dayrell Oakley-Hill, një prej zëvendësve të Gjeneral majorit Percyt, në komandën e Xhandarmarisë Shqiptare do të ishte në fakt një prej kontakteve më të rëndësishme të SIS në radhët e ushtrisë shqiptare.
Kolonel Oakley-Hill ishte admirues i shqiptarëve dhe mesa duket koha që ai kaloi në Shqipëri e kishte bërë më të afërt me vendin ku shërbeu për mëse 10 vjet. Lëvizjet e tij në të gjithë Shqipërinë e bënin atë një burim të rëndësishëm për informacion me karakter ushtarak.Në ditarin e tij të botuar pas vdekjes ai është kujdesur që rolin dhe kontaktet që kishte me Shërbimin Sekret Anglez, të lihen në njëfarë mënyre jashtë faqeve të ditarit por në fakt nga dokumentet arkivore shikohet qartë se ai ka luajtur një rol parësor sidomos në fundin e vitit 39 dhe fillin e viteve 40 në skemën e SIS në Shqipëri. Koloneli Oakley-Hill do të ishte në fakt një prej aktorëve kryesorë të përpjekjeve të Shërbimit Sekret Britanik për të rekrutuar dhe infiltruar një numër eksponentësh anti-italianë dhe për të filluar një lëvizje anti-italiane në Prill 1941.
Po kështu në dosjet e Shërbimit të zbulimit anglez, në këtë përiudhe dalin emrat edhe të dy ushtarakëve të tjerë të xhandarmarisë së Mbretit Zog, Kapiteni Robert Cripps-i dhe Major Barbrook-u të cilët do të shërbenin edhe më vonë në planet e anglezëve në krijimin e një fronti anti italo-gjerman në Ballkan.
Megjithatë figura më interesante e cila gjatë viteve 1920-'30 do të jetë pjesë e historisë së Shërbimit Anglez në Shqipëri do të ishte studiuesja britanike Margaret Hazlluk.
Hazlluk kishte studiuar në Akademinë Elgin si dhe në Universitetin e Aberdeen dhe Kembrixh duke qënë një prej grave të para në Angli që kalonin dyert e këtyre universiteteve prestigjioze. Gjatë një udhëtimi studimi në Anatoli më 1911, kishte takuar arkeologun anglez Frederick Hasluck-un i cili ishte një nga studiuesit e rëndësishëm të Shkollës Britanike në Athinë. Frederick Hasluck-u dhe Margareta martohen më 1912 dhe vendosen në Athinë.Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore çifti Hasluk përveç studimeve arkeologjike të cilat i kishin vendosur ata në një nivel të lartë profesional midis botës akademike, kishin punuar për Zbulimin Britanik duke qënë një nga pikat e ndërlidhjes dhe të informacionit që kishin britanikët në Greqi. Nuk dihet se kush nga çifti Hazluk ka qënë personi i cili ka pasur kontakte i pari me Shërbimin Anglez. Dokumentacioni i zbuluar në arkivat britanike konfirmon se çifti Hasluk kishte shërbyer gjatë gjithë periudhës së luftës për shërbimet e inteligjecës britanike. Mesa duket nga këto dokumente, në mënyrë të tërthortë del se edhe lidhjet e zj. Hasluk me Shërbimin Inteligjent Britanik, kanë qënë të afërta edhe pas periudhës së Luftës së Parë.
Pas vdekjes së të shoqit më 1920, zj Hazluk ju dedikua përfundimisht punës në çështje etnografie dhe kulturore të Ballkanit duke ndërmarë udhëtime të shumta në Maqedoni, Greqinë e Veriut dhe në veçanti në Shqipëri. Në vitin 1923 ajo vendoset përfundimisht në Shqipëri dhe udhëton gati në të gjithë vendin për të mbledhur përralla, fabula, histori të vjetra apo botani. Vendoset përfundimisht në Elbasan ku edhe blen një shtëpi të vogël e cila akoma edhe sot qëndron në këmbë shumë pranë mureve të Kalasë së Elbasanit. Është paksa e vështirë për të vërtetuar rolin e saj të vërtetë për gati 16 vjetët që kaloi në Shqipëri. Puna në drejtim të etnografisë, numizmatikës apo çështjeve të tjera shqiptare që ajo bëri me përkushtim për të gjithë kohën që ishte në Shqipëri e vendosin atë në radhët e pioniereve të çështjeve albanologjike.Gjithsesi kontaktet e saja në të kaluarën me Shërbimin Inteligjent Britanik nuk kishin se si te mos lindin dyshimet se puna e saj nuk ishte vetëm etnografia. Është e vështire të provohet me dokumentacionin që deri me tani është në dispozicion, nëse Hazluk ishte agjente aktive me mision në Shqipëri apo jo, por nëse marrim parasysh se Zyra Sekrete e Mbretit Zog e kishte në vëzhgim të vazhdueshëm si dhe Sherbimet Inteligjente Italiane e kishin në Listat e tyre primare si një agjente aktive, atëherë mund të supozojmë se zj Hazluk është personi për të cilën referohet në dokumentin HS7/150 të arkivit britanik se "kontakti kryesor i SIS në Shqipëri është një grua".
Vijon të shtunën e ardhshme
aurontare@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›