Bolonja, Taçi përcakton buxhetin: 60 milionë euro për vitin tjetër
Ndryshe nga lajmet që qarkulluan gjatë ditës kur u zyrtarizua si pronari i ri i Bolonjës, tashmë është përcaktuar se Rezart Taçi do të jetë edhe në rolin e presidentit. Biznesmeni shqiptar, i cili mori 80 për qind të aksioneve të klubit të Serisë A, përcaktoi edhe buxhetin për vitin e ardhshëm: plot 60 milionë euro. Vitin e kaluar, "fatura" e klubit kuqeblu ishte 35 milionë euro, që do të thotë se 20-25 milionët e mbetura nga buxheti i ri do të investohen në merkaton e futbollistëve. "Bolonja do të jetë, ose më mirë do të kthehet, në një realitet të rëndësishëm të futbollit italian. Njëkohësisht, bilancet duhet të jenë gjithmonë në rregull", theksoi Taçi. Gjatë mëngjesit të djeshëm, ai vëzhgoi nga afër stadiumin "Dal‘Ara", i shoqëruar nga ish-pronari, Renco Menarini. "Një impiant i bukur, më pëlqen. Mund të përmirësohet, por objektivi kryesor është që stadiumi të jetë gjithmonë i mbushur plot", shtoi 38-vjeçari.