E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo: Afrimi i Eto‘o, lëvizje e shkëlqyer

Gjithçka ka përfunduar. Të hënën, në të njëjtën ditë me Ibrahimoviç, Eto‘o do të zhvillojë vizitat mjekësore tek Interi. Shkëmbimi i vitit u realizua: konfirmimi zyrtar është shtyrë vetëm prej formaliteteve të fundit burokratike. Tifozët zikaltër duken të kënaqur nga manovrat e klubit, duke regjistruar 33000 abonime për sezonin e ri, një shifër rekord. I lumtur është edhe Hoze Murinjo, që pas heshtjes për shtyp, tashmë u rishfaq përpara kamerave dhe tregoi mendimet e tij. "Nuk fola, sepse nuk më dukej se kjo do të ishte sjellja korrekte ndaj klubit. Bëra maksimumin për të evituar që të ndërhyja në një marrëveshje të rëndësishme, e cila po zhvillohej me nëntë orë diferencë (duke llogaritur ndryshimin e orës në Europë dhe Amerikë). Nuk kam asnjë problem me drejtuesit, gjithmonë kemi punuar në grup", tha tekniku luzitan. Murinjo duket i kënaqur për shkëmbimin Eto‘o-Ibrahimoviç: "Vetëm një trajner budalla do të thoshte se nuk i vjen keq që humb shërbimet e Zlatanit. Por, vetëm një trajner budalla mund të thoshte se nuk është i kënaqur të punojë me Eto‘o. Samuelin e doja edhe kur drejtoja Çelsin, por në atë periudhë Barça e refuzoi ofertën. Realisht nuk mendoja se spanjollët do të hiqnin dorë prej tij dhe kjo ishte arsyeja përse thashë që Ibra do të qëndronte. Megjithatë, 50 milionë euro dhe Eto‘o për Ibrahimoviç është një lëvizje e shkëlqyer në merkato. Për mua personalisht, Eto‘o është po aq i rëndësishëm sa Zlatan: nëse ky i fundit vlen 50 milionë euro, kamerunasi vlen 49". Trajneri është i bindur se do të ketë në dispozicion një skuadër më të fortë se ajo e sezonit të kaluar. Objektivi i vendosur nga Morati mbetet Liga e Kampioneve... "Për Champions-in do të garojnë 7-8 skuadra, ku vetëm 2-3 prej tyre janë më të forta se ne, por unë jam optimist. Morati e kërkon me patjetër këtë trofe? Nëse e dëshiron kaq shumë, mund t‘i bëj një kopje të Kupës që kam në shtëpi", tha Murinjo duke qeshur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›