E Diel, 1 Nëntor 2026

Bolonja, ofertë zyrtare Bogdanit

Shtohet lista e skuadrave që interesohen për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani. 

 Media italiane ka bërë të ditur se orët e fundit, klubi i Bolonjës i ka bërë një ofertë zyrtare Kievos për bomberin kuqezi dhe tashmë kanë nisur bisedimet mes palëve. Kuqeblutë, të cilët sapo janë ngjitur në Serinë A, janë skuadra e pestë që kërkon të marrë sulmuesin shtatlartë, pas QPR-së së Briatores, Ipsuiç Toun, Torinos dhe Anorthosis. Ka qenë trajneri i Bolonjës ai që u ka kërkuar drejtuesve të klubit të hyjnë në bisedime me Kievon për të blerë Bogdanin. Sipas uebsajtit sportal.it, tekniku i kuqebluve, Daniele Arrigoni, e ka cilësuar si të pakompletuar repartin ofensiv. Deri para pak ditësh, menaxherët e Bolonjës ishin përqendruar tërësisht te Nikola Poci i Empolit dhe te David Di Mikele i Torinos, por çmimi i kartonit të këtyre dy futbollistëve është tepër i shtrenjtë, prandaj drejtuesit e skuadrës kanë vendosur ta hedhin vështrimin në alternativa të tjera më pak të kushtueshme dhe në krye të listës së re është sulmuesi i përfaqësueses shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›