E Diel, 1 Nëntor 2026

Tuberkulozi, 600 raste të reja çdo vit

Çdo vit në vendin tonë evidentohen rreth 700 raste të reja me sëmundjen e tuberkulozit. 

Zonat më të prekura mbeten zonat verilindore ku Dibra, Shkodra dhe Kukësi kanë dhe numrin më të madh të rasteve. Por mjekët pranojnë se, me lëvizjen e popullatës sëmundja e tuberkulozit është shfaqur edhe në zona ku më parë nuk ekzistonte. “Të infektohesh nga kjo sëmundje nuk do të thotë të sëmuresh. Janë kushtet social-ekonomike dhe gjendja shëndetësore e vetë pacientit, ato që krijojnë terrenin për t’u sëmurur nga tuberkulozi”, sqarojnë mjekët e sanatoriumit. Ata bëjnë me dije se në përgjithësisht kjo sëmundje shfaqet te personat që jetojnë në ambiente të ngushta, pa higjienë e me lagështirë dhe gjithashtu edhe te personat, të cilët janë të paushqyer mirë. Shenjat e para të shfaqjes së tuberkulozit janë dobësi e përgjithshme, djersitje e lehtë e të sëmurit dhe temperaturë deri në 37 gradë. “Risku i përhapjes së kësaj sëmundjeje është shumë i madh, pasi një i sëmurë mund të infektojë 10-12 persona të tjerë”, theksojnë mjekët. Bluzat e bardha nënvizojnë se në trajtimin e një të sëmuri ka shumë rëndësi rregullsia në mjekim, sepse vetëm duke ndjekur më përpikëri kurën për 6-9 muaj pacienti bëhet i parrezikshëm për ambientin. Gjithashtu, burim infektimi nga kjo sëmundje mund të jenë edhe të sëmurët me SIDA, pasi ulja e rezistencës së pacientit bën, që ata të sëmuren edhe nga tuberkulozi, duke u kthyer kështu në një “vatër” për infektimin e personave të tjerë. Me rritjen e numrit së të prekurve nga virusi HIV, në vendin tonë po rritet edhe numri i të infektuarave nga tuberkulozi. Vendi ynë për shfaqjen e rasteve me tuberkuloz vjen pas Greqisë, ndërsa Kosova, Maqedonia dhe Bullgaria kanë një numër më të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›