E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhinierja e burgut, 17 vjet në qeli për vrasjen e babait

Ndodhet në burg për vrasjen e babait, të cilin e akuzonte për ekze-kutimin e vëllait të saj. 

Fatos Mahmutaj

 Tashmë i duhet të vuajë 17 vjet në qeli për të shlyer dënimin e dhënë nga drejtësia, e cila në përfundim të kalvarit të arrestimeve dhe lirimeve, pafajësive dhe dënimeve më në fund dha verdiktin me 17 vjet burg. Vezire Sina, është një nga të burgosurat, që pretendon se po vuan një dënim për një vepër që nuk e ka kryer. Megjithëse, i ka mbetur më pak se gjysma e dënimit pohon se ka vuajtur padrejtësisht dhe sapo të dalë nga burgu do kërkojë pafajësinë e saj, të cilën nuk mundi ta fitonte në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Sina, e cila punon kuzhiniere në burgun 325 në kryeqytet, është një e burgosur që shfaqi vetë dëshirën të fliste për gazetën, duke pohuar se tashmë që ka konsumuar të gjitha shkallët e gjyqësorit, nuk i ka mbetur më ku të çojë zërin e saj për pafajësinë e pretenduar veç mediave. 
Zonja Vezire ndodheni në qeli për vrasjen e babait tuaj Sulejman Sharka, vepër për të cilën jeni shpallur njëherë e pafajshme dhe më pas jeni dënuar?
Kam marrë dy herë pafajësi për këtë vepër. Njëherë në vitin 1998 kur Prokuroria më pushoi çështjen, ndërsa herën e dytë më 24 maj 2004, pasi kisha qëndruar në qeli plot një vit. Gjykata e Lushnjës më deklaroi të pafajshme dhe më liroi nga qelia, por Apeli pesë muaj më vonë më dënoi me 17 vjet burg. Pas kësaj u arrestova dhe përfundova këtu në burg për të vuajtur dënimin. Gjykatës së Shkallës së Dytë i kërkova zhvarrimin e kufomës dhe riekspertimin, pasi vrasësja nuk jam unë por persona të tjerë. Kjo për faktin se unë isha e martuar në kohën, që ka ndodhur krimi dhe ndodhesha në shtëpinë e bashkëshortit në fshatin Spolat. Që nga momenti i arrestimit më është kërkuar që të tregoj autorin e krimit dhe unë do lirohesha, por në fakt edhe unë nuk e di, se kush mund ta ketë vrarë. Tashmë ndodhem në burg duke vuajtur dënimin, nga i cili më kanë mbetur dhe 7 vjet e 9 muaj.
Jeni dënuar për një krim në familje, cila është marrëdhënia juaj aktuale me familjarët?
Im shoq dhe fëmijët vijnë më takojnë gjithmonë kur kam ditët e takimeve. Po kështu më takojnë edhe motrat dhe vëllezërit. E dinë që unë nuk jam vrasëse, ndaj më takojnë me gjithë hallet dhe vështirësitë, që kalojnë duke punuar në bujqësi në fshat. Në shtëpi kemi kaluar mirë, nuk kemi pasur grindje ashtu siç pohohet në vendimin e Gjykatës së Apelit, pasojë e të cilit unë ndodhem këtu në qeli.
Ju jeni një nga të burgosurat që punoni në kushtet e qelisë, cili është profesioni juaj dhe a e ushtroni atë në punën tuaj të përditshme?
Nuk kam ndonjë profesion për të cilin të jem arsimuar, por në burg punoj kuzhiniere. Kam mjaft kohë në këtë profesion dhe tashmë gatuaj për të gjithë institucionin. Kuptohet jo vetëm, jemi disa të dënuara që punojmë në kuzhinën e burgut duke përgatitur ushqimin.
Cila është menyja e përditshme të burgosurve?
Mëngjesi është ushqim i lehtë, kryesisht çaj apo qumësht dhe gjalpë e djathë apo reçel. Në drekë gatuajmë gjellë të ndryshme, natyrisht me mish. Kurse për darkë gjellë të lehta. Pasi i gatuajmë ushqimet i kalojmë për t'ua shpërndarë të burgosurve në sektorin e grave dhe burrave.
Çfarë përfitoni nga puna në qeli?
Përfitoj uljet e dënimit për shkak se jam e punësuar. Përfitoj rreth një muaj e gjysmë në vit, ndërkohë që për sjellje të mirë më ulen tre muaj burg për çdo vit. Po kështu kam përfituar nga falja e Presidentit të Republikës, si dhe një vit që kam kaluar në paraburgim në vitet 2003-2004. Por ajo që përfitoj më tepër është vrasja e kohës. Fakti që jam e punësuar në burg më bën që kaloj një pjesë të mirë të kohës, çka më çlodh së tepërmi.
Keni vuajtur më tepër se gjysmën e dënimit, duke llogaritur edhe lehtësitë e ndryshme që mund të përfitoni, liroheni pas pak vitesh, si do ta kapni kohën e kaluar në qeli?
Tani pres vetëm të dal. Të lirohem që këtej dhe të mblidhem edhe njëherë me fëmijët në shtëpi. Dy vajzat merren me punët e shtëpisë dhe ndihmojnë edhe bashkëshortin dhe djalin në punët e përditshme në bujqësi. Krahas kësaj do kërkoj pafajësinë time, pasi po vuaj pafajësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›