Matura, të hënën ngujimi, nis java e konsultimeve
Nisin zyrtarisht përgatitjet për Maturën Shtetërore. Rreth 25 mijë nxënës të shkollave të mesme kanë mbyllur vitin shkollor dhe më datë 2 qershor japin provimin e parë, atë të Letërsisë. Gjatë gjithë javës që vjen në gjimnaze do të nisin konsultimet për këtë lëndë sipas grafikëve të përcaktuar nga mësuesit. Hartuesit e testeve pritet të ngujohen ditën e hënë në ambientet e AKP-së për të qëndruar aty për 6 ditë me radhë. Nga fondi i përcaktuar i pyetjes ata do të zgjedhin testin final. Fondi i pyetjeve nga ku do të përzgjidhet teza finale është sa 20-fishi i kërkesave që do të përmbajë testi. Bazuar në këtë rregull, për Gjuhë-Letërsinë, testi i së cilës përmban 25 pyetje, janë përgatitur 500 pyetje. Do të hartohen 7 lloje të ndryshme testesh, përshtatur drejtimit të shkollës. Secila prej tyre ka fond pyetjesh të posaçëm. Provimi i Letërsisë do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Do të përmbajë 25 pyetje gjithsej, nga të cilat 13 me alternativa dhe 13 me zhvillim. Lloji i parë i pyetjeve do të vlerësohet me 1 pikë për secilën. Duke iu përgjigjur saktë, nxënësit mund të grumbullojnë në total 13 pikë. Pyetjet me zhvillim do të kenë peshë tri herë më të lartë. Në total, duke dhënë përgjigjen e drejtë për këtë grup, maturanti merr 37 pikë. Për të marrë notë maksimale në provimin e Letërsisë, një nxënësi do ti duhen 50 pikë. Pasi të kryhet vlerësimi i të gjitha testeve, do të vendoset një tavan pikësh që lejon tolerancën për marrjen e notës minimale dhe maksimale. Në test do të ketë pyetje për të gjitha nivelet e nxënësve. Për të dobëtit, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të ketë pyetje në masën 40%. Në këtë mënyrë, këta maturantë do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim, sa për të mos rezultuar mbetës. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë të notave 7 dhe 8, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test. Maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Këtë vit risi është se vlerësimi do të behët edhe në qytetin e Korçës, ndërkohë që do të jetë sërish korrigjimi me dorë nga tri gupe vlerësuesish, njëri pas tjetrit.
Vlerësimi
Vlerësimi i testeve realizohet në 6 qendra vlerësimi. Mjediset e këtyre qendrave duhet të jenë të përshtatshme dhe të sigurta. Mjediset e vlerësimit përzgjidhen nga AKP dhe miratohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Testet e një profili të të njëjtit mjedis provimi nuk shpërndahen në qendra të ndryshme vlerësimi. Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri. Testet kodifikohen nga përgjegjësi i vlerësimit me numra arabë. Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë sasinë dhe kodifikimin e tyre.
ZIRINA LLAMBRO