E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bomba e Moxhit: Murinjo te Reali? Kapelo tek Interi

“Big Luçiano”, deklarata e parashikime që do të ngrenë shumë debate

Luçiano Moxhi, ish-drejtuesi i Juventusit, e ka mbyllur edicionin futbollistik në Itali me një “bombë”. I akuzuari kryesor për skandalin “Calciopoli”, bëri deklarata dhe parashikime të cilat do të ngrenë në mënyrë të paevitueshme debate. Fillimisht ai vlerësoi rolin e Zhoze Murinjos në triumfin e Interit në Serinë A: “Edhe pse ishin skuadra më e fortë e kampionatit, zikaltërit rrezikuan seriozisht ta humbnin titullin. Këtu duhet vlerësuar puna e Murinjos, i cili u tregua i aftë që të ishte drejtues dhe trajner në të njëjtën kohë dhe e kuptoi se cila ishte mënyra e duhur për t’i siguruar qëndrueshmëri skuadrës, mbi të gjitha kur e kuptoi se në këtë fund të sezonit lojtarët ishin të lodhur”. Tekniku portugez vazhdon të lërë shumë pikëpyetje rreth së ardhmes së tij dhe “Big Luçiano” shtoi: “Murinjo te Reali? Besoj se spanjollët do të mendojnë ta rikthejnë edhe një herë Kapelon në Madrid. Por, mund të them me siguri, se nëse Murinjo emërohet në krye të stolit në ‘Bernabeu’, atëherë Kapelo do të bëhet trajneri i Interit! Emri i Benitez ishte thjesht një thashetheme, madje tekniku i Liverpulit nuk ka qenë alternativë konkrete as për Juventusin, që do të drejtohet nga Del Neri. Prandeli do të bëhet trajneri i ardhshëm i përfaqësueses italiane, ndërsa Lipi mund të shkojë te Milani, për të punuar si drejtor teknik”. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: nëse do të largohet vërtet nga Italia, Murinjo synon edhe triumfin në Champions League. Në këtë mënyrë ai do të përshëndetej me Interin, duke lënë pas një rekord shumë të vështirë për t’u përsëritur. Rreth finales së 22 majit në Madrid, ku kundërshtari i zikaltërve është Bajerni i Mynihut, Moxhi deklaroi: “Interi është dukshëm më superior se Bajerni, edhe sepse bavarezëve u mungon Riberi. Gjithsesi, skuadra e Murinjos duhet të jetë e kujdesshme: më kujtohet finalja që Juventusi luajti me Borusian e Dortmundit. E nisëm lojën si favoritët kryesorë, por humbëm përballë një ekipi që ishte mbushur me lojtarë të cilët ne i kishim larguar si të panevojshëm”.

Më tej, ish-drejtuesi bardhezi ka analizuar ecurinë e Romës, por edhe zhgënjimet e Milanit dhe Juventusit. “Roma e humbi titullin në mbrëmjen kur humbi në shtëpi me Sampdorian. Frika e fitores u kushtoi shtrenjtë verdhekuqve. Nëse në vend të Ranierit do të kishte trajner Murinjon, kjo skuadër do të shpallej kampione. Roma zhvilloi një kampionat madhështor, por në fund ata u dëshpëruan. është njësoj si të vizitosh Romën, por pa arritur të shohësh Papën”, shtoi Moxhi. “Problemet e Milanit dhe ecuria e dobët e Juventusit lidhen me gabimet në merkato. Kuqezinjtë blenë Huntelar, ndërsa bardhezinjtë Felipe Melon, duke shpenzuar më shumë se Interi që afroi Shnajder. Kjo ndikoi në rritjen e hendekut mes skuadrave. E çfarë mund të thuash për merkaton e janarit? Interi mori Panvde me parametër zero, në anën tjetër Juve afroi Paoluçinin, ndërsa Milani Amantino Mansinin”.
Për Italinë, e cila duhet të mbrojë kurorën e kampiones së botës në Afrikën e Jugut, Moxhi tha: “Lipi u mbështet te lojtarët që kanë dhënë prova, pasi gjatë këtyre viteve nuk ka ndodhur rinovimi i skuadrës. Me një skuadër që ka ngecur në sezonin më të keq të historisë së saj, për mua do të jetë shumë nëse Italia kalon fazën e grupeve”. Në fund, dy fjalë për “Calciopoli”-n, duke hedhur akuza për të përditshmen “La Gazzetta dello Sport”: “Ruxhero Palombo (zv/drejtori i gazetës) duhet t’u përgjigjet akuzave se shoku i tij Mauricio Galdi është mik i afërt me kolonelin Aurikio dhe për këtë arsye i dinin vendimet përpara kohe. Kjo media ka marrë pjesë në mënyrë aktive gjatë skandalit”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›