Vonohen relacionet, shtyhet Disiplina
Edhe pse ishte paralajmëruar se ngjarjet në javën e fundit të Kategorisë së Parë do të shqyrtoheshin me urgjencë, diçka e tillë nuk ka ndodhur. Zyrtarët e FSHF-së theksuan se takimet Elbasani-Bylis 8-4 dhe Kamza-Turbina 10-0 do të hetoheshin nga Komisioni i Disiplinës dhe ndaj klubeve mund të merreshin masa ndëshkimore. Kjo për faktin se Elbasani dhe Kamza luanin në distancë ngjitjen direkte në Superiore dhe dy klubet nisën një “luftë” golash që shkatërroi garën. Por, vonesa e relacioneve, ku gjyqtarët, vëzhguesit dhe delegatët do të jepnin qëndrimin e tyre rreth ngjarjeve, ka bërë që mbledhja e Disiplinorit të shtyhet me 24 orë. Sipas burimeve zyrtare në federata, dokumentacioni do të shqyrtohet gjatë ditës së sotme, ndërsa pritet të mos mungojnë penalizimet me heqjen e pikëve për edicionin e ardhshëm.
#