E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia kufitare shpëton nga mbytja dy vëllezër

Lezhë Peshkatarët 19 dhe 21 vjeç ishin nisur nga Velipoja për në Shëngjin, por moti i keq i vuri në vështirësi

Dy vëllezër peshkatarë kanë rrezikuar seriozisht jetën mëngjesin e djeshëm, kur reshjet e shiut dhe era e fortë kanë përfshirë bregdetin e Adriatikut. Ata ishin nisur me një motobarkë nga Velipoja në drejtim të bregut të Shëngjinit dhe pas humbjes së kontrollit të varkës, kanë rrezikuar të mbyten. Ndërhyrja e menjëhershme e policisë kufitare të Lezhës i ka shpëtuar ata për mrekulli. Burime zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se ka qenë policia kufitare e Lezhës që ka shpëtuar për mrekulli pa u mbytur dy peshkatarë nga fshati Rjoll i Komunës Velipojë të Rrethit të Shkodrës. Burime zyrtare të policisë kufitare bëjnë të ditur se dy vëllezërit me mbiemër Zhuri, 21 dhe 19 vjeç, të cilët rrezikuan të mbyteshin, ishin peshkatarë. Të njëjtat burime shprehen se dje në orën 08:00 të mëngjesit, dy vëllezërit Zhuri kishin lundruar në det për të peshkuar. Pas një ore udhëtimi, dy vëllezërit kanë filluar të frikësohen për shkak edhe të dallgëve të mëdha të detit, të cilat rrezikonin fundosjen e varkës. Kjo i ka detyruar dy të rinjtë të kërkonin edhe ndihmën e policisë dhe të afërmve të tyre. Pas njoftimit, policia kufitare e Lezhës është nisur në drejtim të vendndodhjes së dy peshkatarëve. Pas 30 minutash, policia kufitare e Lezhës ka mundur të kontaktojë me dy peshkatarët dhe t’u shkojë atyre në ndihmë. Burime zyrtare të policisë së Shëngjinit bëjnë të ditur se rreth orës 09:50 kanë bërë të mundur edhe tërheqjen e varkës me skafin e policisë dhe nxjerrjen më pas të saj në Portin e Shëngjinit. Të njëjtat burime shprehen se dy të rinjtë, pasi janë mbajtur për rreth një orë në zyrat e policisë kufitare, janë nisur më pas në drejtim të Lezhës, për të udhëtuar pastaj drejt Shkodrës, ku edhe kanë familjen e tyre. Në Shëngjin kishin ardhur edhe të afërmit e dy peshkatarëve, të cilët të trembur prisnin mbërritjen në port të dy vëllezërve Zhuri.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›