E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbolli i femrave, bollëk golash



Spektakël e argëtim në “Selman Stërmasi”. Rezultate të bollshme me gola në turneun e parë kombëtar të futbollit të femrave, ku marrin pjesë 8 ekipe. I organizuar për herë të parë nga Federata Shqiptare të Futbollit, ky aktivitet ka çuar në institucionalizimin e futbollit për femra në Shqipëri, që është luajtur për herë të parë në formatin 11 me 11 (ndeshjet u zhvilluan me nga 25 minuta çdo pjesë).
Ka qenë këmbëngulja e gjatë e gazetarit sportiv Genc Ymeraj, promotor i disa aktiviteteve dhe kupave të mëparshme me skuadrat e futbollit të femrave, që bëri të mundur edhe organizimin në një rang më të lartë të këtij turneu.
Në ditën e parë, skuadra që spikati më shumë ishte Tirana AS, e cila mposhti 7-0 ekipin e Tropojës. Në sfidën tjetër të zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, ekipi i Jubanit të Shkodrës fitoi 5-0 ndaj Olimpikut.
Dy ndeshje të tjera u zhvilluan në kompleksin e Kamzës, ku Rubiku fitoi 3-1 me Tiranën, ndërsa “The Door” mposhti 3-0 Memaliajn. Ndeshjet gjysmëfinale të këtij turneu do të zhvillohen ditën e diel, ndërsa finalja do të luhet më 27 janar.
Sekretari i Federatës së Futbollit, Arben Bici, premtoi se në muajin shtator do të nisë edhe kampionati i parë i futbollit të femrave. Kjo do t’i hapë rrugë edhe një ekipi kombëtar në këtë kategori të futbollit, që do të marrë më pas në aktivitete ndërkombëtare futbolli.
Shqiptarja më e njohur në botën e minifutbollit është Fatmira Bajramaj, e cila luan për Kombëtaren e Gjermanisë dhe është një figurë popullore e mediatike në Gjermani.

Turneu i femrave

23.01.2009
Stadiumi "Selman Stërmasi"
1. Tirana A.S-Tropoja 7-0
2. Jubani-Olimpik 5-0

Kamzë
1. Tirana-Rubiku 1-3
2. Memaliaj-The Door 0-3

Gjysmëfinalet
25.01.2009

1. Tirana A.S-Jubani
2. Rubiku-The Door
Finalja
27.01.2009

Interi, ëndrra e fshehtë e Drogbasë

Është Interi ëndrra në sirtar e Didier Drogbasë, sulmuesit të njohur të Çelsit. Sipas gazetës britanike “The Sun”, sulmuesi i bluve, i cili prej kohësh ka prishur marrëdhëniet me trajnerin Skolari dhe dëshiron një orë më parë të kthehet te ish-trajneri i tij, Hoze Murinjo, me të cilin ka pasur një raport të shkëlqyer. Lojtari, megjithatë, është në pritje të një telefonate nga Interi. Sipas “The Sun”, nëse do ta merrte këtë sinjal nga zikaltri, lojtari do të ishte gati të shkonte për të diskutuar të ardhmen e tij në Milano.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë i Çelsit nuk mund ta lërë klubin e tij në merkaton e janarit, dhe këtë ia ka sqaruar ndihmëstrajneri i skuadrës londineze, Rej Uilkins. “Të gjithë lojtarët kanë një çmim, kjo është e qartë, por Didier është një pjesë thelbësore e skuadrës sonë dhe nuk do të largohet brenda hapësirës së merkatos së janarit”.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›