“Bomba” e merkatos C1,Padova kërkon Bogdanin
Mund të jetë “bomba e vërtetë” e merkatos së Serisë C1. Kështu e konsideron gazeta italiane “Leggo” blerjen e mundshme të Erjon Bogdanit nga Padova. Drejtori Sportiv i Padovas, Doriano Tosi, deklaroi për gazetën italiane se sulmuesi shqiptar i Kievos është në shënjestrën e tij dhe ai dëshiron të bëjë të pamundurën për t’ia bërë dhuratë trajnerit Atelio Teser. Tosi shpreson në marrëdhëniet e shkëlqyera personale me drejtorin sportiv të Kievos, Sartori, i cili mund të mbyllë me sukses një tratativë në dukje thuajse të pamundur. Gjithsesi, gjithnjë sipas gazetës italiane, do të jetë shumë e vështirë të bindet “Princi i Epirit” të zbresë dy kategori më poshtë. Dy ish-shokë skuadra te Salernitana, Sezar e Petrasku mund të bindin Bogdanin të bashkohet me Padova. Për Bodganin ditët e fundit u interesuan edhe Lacio, Roma (në Itali) e Grenoble në Francë, por tratativat mesa duket nuk kanë pasur ofertë konkrete.
Pas 19 ndeshjeve në Serisë C1 (apo Lega Pro), Padova ndodhet në vendin e shtatë me 27 pikë, po aq sa Verona, një ish-skuadër e Erjon Bogdanit. Në repartin e sulmit, Padova ka tetë lojtarë, por vetëm Rabito Andrea ka shkëlqyer, duke realizuar shtatë gola në 12 ndeshje të aktivizuara, ndërsa Varikio Masimiliano tre gola.
Po në Serinë C1 luan si i huazuar nga Palermo te Ravena edhe Brian Filipi, talenti më i ri shqiptar në Itali.