Futbolli i femrave e nis me bollëk golash
Rezultate të bollshme me gola në turneun e parë Kombëtar të futbollit të femrave, ku marrin pjesë 8 ekipe. I organizuar për herë të parë nga Federata Shqiptare të Futbollit, ky aktivitet ka çuar në institucionalizimin e futbollit për femra në Shqipëri, që është luajtur për herë të parë në formatin 11 me 11 (ndeshjet u zhvilluan me nga 25 minuta çdo pjesë). Ka qenë këmbëngulja e gjatë e gazetarit sportiv Genc Ymeraj, promotor i disa aktiviteteve dhe kupave të mëparshme me skuadrat e futbollit të femrave, që bëri të mundur edhe organizimin në një rang më të lartë të këtij turneu. Në ditën e parë, skuadra që spikati më shumë ishte Tirana AS, e cila mposhti 7-0 ekipin e Tropojës. Në sfidën tjetër të zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, ekipi i Jubanit të Shkodrës fitoi 5-0 ndaj Olimpikut. Dy ndeshje të tjera u zhvilluan në kompleksin e Kamzës, ku Rubiku fitoi 3-1 me Tiranën, ndërsa “The Door” mposhti 3-0 Memaliajn. Ndeshjet gjysmëfinale të këtij turneu do të zhvillohen ditën e diel, ndërsa finalja do të luhet më 27 janar. Sekretari i Federatës së Futbollit, Arben Bici, premtoi se në muajin shtator, do të nisë edhe kampionati i parë i futbollit të femrave.