E Diel, 1 Nëntor 2026

Bomba e merkatos nga Spanja: Shkëmbim i mundshëm Kaka-Ibra

Dy gjigantët spanjollë, pranë një shkëmbimi të paprecedent

Spanja është gjithnjë e më shumë në qendër të kronikave verore të lidhura me merkaton e futbollit, mbi të gjitha kur janë në mes dy kolosë të futbolli botëror, si Real Madrid dhe Barcelona. është një “bombë” e vërtetë për merkaton e futbollit hipoteza e një shkëmbimi të mundshëm, e cila ishte dje në faqet e gazetës sportive spanjolle, "El Mundo Deportivo". Në të bëhet e ditur mundësia e një dopjo shitjeje mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, të cilët do të shkëmbejnë pronësinë e dy yjeve të tyre, respektivisht Ibrahimoviç dhe Kaka.

Ky shkëmbim ka shtuar rrahjet e zemrave në merkato. E përditshmja, e njohur si shumë e afërt me ambientet e Barcelonës, ka theksuar se Zhoze Murinjo u ka kërkuar drejtuesve të klubit që të provojnë ta blejnë sulmuesin suedez, për të cilin ruan akoma një kujtim të shkëlqyer nga paraqitjet e tij, kur luante te Interi. Tekniku madrilen, shkruan më tej gazeta, përveç të tjerave, ka thënë se Ibrahimoviç do të adaptohej në mënyrë perfekte me taktikat e tij dhe me projektet e tij për skuadrën.
Por çfarë thuhet në lidhje me këtë në kampin blaugran? Sigurisht humbja e Ibrës do të ishte e rëndësishme, edhe pse për momentin preferohet më shumë Vija, i cili është në një formë të mirë, gjë që e ka demonstruar edhe në botërorin afrikanojugor. Suedezi ka shumë gjasa që të përjetojë një kohë jo të shkurtër në pankinë gjatë këtij sezoni, ndërse qëndron te Barcelona. Prandaj, për këtë arsye, shitja e Ibrës nuk duhet të përjashtohet, por me kusht që të merret një tjetër lojtar i të njëjtit nivel. Zgjedhja do të ishte thuajse e detyruar: ai do të ishte Kaka, që mes të tjerave do të ishte një zëvendësues ideal për Fabregas.

Atëherë shkëmbimi Kaka-Ibrahimoviç është shumë pranë? Realiteti nuk është dhe aq i qartë. Kjo pasi edhe vetë "El Mundo Deportivo” flet për një të tretë, që nuk po i lë rehat, Milanin. Edhe skuadra italiane është e interesuar për Ibrën. Një tjetër pengesë mund të jetë dhe fakti se vetë suedezi nuk dëshiron të ndryshojë skuadër dhe se ka ndërmend të fitojë Champions Leaguen. Sigurisht që Barcelona është një skuadër që në këto momente mund të japë më shumë siguri se të gjitha të tjerat.

Ibrahimoviç, duke lënë mënjanë deklaratat që ka bërë, mundet edhe ta lërë Barcelonën, por nuk është i gatshëm për të reduktuar rrogën e tij. Kjo bën që të largohet ideja për një kalim te Milani, pasi kuqezinjtë nuk mundet ta paguajnë. Drejtuesit e Realit kanë kontaktuar tashmë menaxherin e suedezit, Mino Raiola, duke i bërë të qartë se janë të gatshëm t’ia paguajnë rrogën që merr te blaugranët. Kaka në Madrid nuk ka entuziazmuar dhe braziliani është i gatshëm të ndryshojë bluzë. Barcelona do ta priste me krahë hapur. Mbetet për t’u bindur braziliani, i cili do të dëshironte të ringjallej sa më shpejt që të jetë e mundur me bluzën e madrilenëve, por nuk përjashtohet që joshet nga presidenti i ri i Barcelonës. Rosel ka lënë të nënkuptohet se do ta realizojë një goditje të madhe në merkato para fundit të merkatos, por paratë nuk janë të shumta dhe ardhja e një “Topi të Artë”, pa qenë i detyruar të derdhë asnjë euro, do të ishte perfekte për të riparuar besimin e ortakëve, të cilët e kanë zgjedhur vetëm pak javë më parë.
Kaka-Mesi-David Vija, apo Kristiano Ronaldo-Ibrahimoviç-Higuain? Ju cilët do të zgjidhnit?

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›