E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikin Tirana dhe Besa, sërish lamtumirë Europë

Olimpiakos turpëron kavajasit 6-1 dhe në Greqi

Turi i tretë i Kupave të Europës mbetet tabu për skuadrat shqiptare edhe për këtë edicion. Tirana e ruan nderin me një barazim 1-1 në “Qemal Stafa” ndaj Utrehtit, duke firmosur kështu eliminimin nga Europa League, ku vendimtare ka rezultuar humbja 4-0 në fushën kundërshtare. Formacioni i Tiranës ishte thuajse i njëjti që luajti edhe në ndeshjen e parë në Holandë, por me përjashtimin e vetëm: vendin e Likës së ndëshkuar me karton të kuq e kishte marrë veterani Nallbani. Sulmi i ishte besuar kroatit Pero Pejiç dhe Sabino Plakut. Ndërsa trajneri i holandezëve Ton Du Chatinier kishte përzgjedhur më të mirët nga grupi i tij, për një përballje, ku kualifikimin e kishte siguruar që në ndeshjen e parë në shtëpi. Megjithatë, në fushë është zhvilluar një lojë e mirë. Pjesa e parë ka dhuruar edhe dy golat e vetëm të kësaj sfide. Edhe pa u ambientuar mirë me fillimin e ndeshjes, holandezët kanë dhënë një sinjal se mund të përsërisnin një tjetër goeladë në kryeqytetin shqiptar, pasi pa kaluar 3 minuta kaluan në avantazh me të zakonshmin Van Volfsvinkel (autorin e një dopjete në takimin në Utreht. Por bardheblutë kanë reaguar shpejt, duke e vënë kundërshtarin nën presion deri në gjetjen e golit të barazimit 1-1 me anë të Lilës në minutën e 11. Për minuta të tëra në vazhdim luhet më shumë në mesfushë dhe mungojnë rastet e pastra për të shënuar. Gjithsesi, pjesa e parë mbyllet me rezultatin e barabartë 1-1, edhe pse Tirana lë përshtypjen se kërkon më shumë golin e dytë. Në 45 minutat e dyta miqtë janë më agresivë dhe i afrohen golit sërish me Van Volfsvinkel, i cili me gjuajtjen e tij nuk gjen dot portën. Tirana provon të bëhet e rrezikshme me sulmuesit e saj Pejiç dhe Plaku, po asnjëri prej tyre nuk është treguar i saktë në shënjestrimin e kuadratit të portës kundërshtare. Një shans e ka pasur edhe Sina, por minutat e fundit flasin për miqtë, të cilët rrezikojnë me Van Volfsvinkel dhe Nesu, por për fat deri në vërshëllimin përfundimtare të gjyqtarit rezultati nuk ndryshon. Miqtë festojnë kualifikimin, ndërsa Tirana kënaqet që të paktën nuk u mund edhe në Shqipëri. Po dje, edhe skuadra tjetër shqiptare Besa i ka thënë lamtumirë Europa Leagues, me një tjetër humbje të turpshme 6-1 në stadiumin “Karaiskaqis” ndaj Olimpikakosit, që rezulton shumë i fortë për skuadrën shqiptare. Në pjesën e parë nuk është shënuar asnjë gol, edhe pse rastet e vetme i patën grekët, pasi kavajasit u kujdesën më shumë për t’u mbrojtur. Por goleada ka ardhur në pjesën e dytë. Në të 46-n ka shënuar Cearense. Besa ka reaguar shpejt në të 48’ me golin e barazimit nga Lazarevski. Por më pas gjithçka ka folur për Olimpiakosin, i cili ka gjetur edhe 5 herë të tjera portën me anë të Derbyshire (53’), Mareska (75’ e 90’), Cearense (78’), Fetafatzidis (89’).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›