E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, vetëm 8 minuta për të marrë një karton të verdhë

Fenerbahçe-Gallatasarai 1-0

Sapo vuri këmbën në Turqi, të gjithë kishin paralajmëruar se ai ishte një futbollist që bënte lojë të ashpër dhe se rrezikonte të ndëshkonte Gallatasarain, pasi do të merrte shumë kartonë. Dhe një gjë e tillë e ka marrë përgjigjen e parë pikërisht të mërkurën në mbrëmje. Gallatasarai ka luajtur një miqësore në stadiumin e rivalit historik të saj, Fenerbahçes, të cilën e ka humbur me rezultatin e ngushtë 1-0, ku ra në sy loja e ashpër e futbollistit shqiptar. Cana, i cili ishte dhe një nga futbollistët e parë të huaj të blerë nga klubi gjigant i futbollit turk, zbriti për herë të parë si titullar me bluzën e Gallatasarait në një ndeshje të vërtetë. Por i kanë mjaftuar vetëm 8 minuta lojë për të parë me sy gjyqtarin, që i drejton një karton të verdhë. Shkak për këtë u bë një ndërhyrje e ashpër e tij ndaj një mbrojtësi kundërshtar, i cili përfundoi i shtrirë në tokë. Që nga ai moment, ai ishte ndër më të vëzhguarit nga gjyqtari kryesor i takimit. Gjithsesi, në pjesën tjetër të ndeshjes, futbollisti i Kombëtares shqiptare tregoi se është një lojtar me karakter të fortë dhe me shumë grinte, ka një mentalitet fituesi dhe është i palodhur në çdo cep të fushës. Ai ishte pjesëmarrës edhe në manovrat sulmuese të skuadrës dhe një të tillë për të shënuar e krijoi në minutën e 15, kur me një gjuajte nga hyrja e zonës i shkoi pranë shtyllës së portës së Fenerbahçes.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›