Shqiptari Edgar Cani do luajë për një sezon i huazuar te Modena
Sulmuesi shqiptar, Edgar Cani, i datëlindjes 1989, do të jetë një nga blerjet e reja të këtij sezoni për skuadrën e Modenës. Drejtori sportiv i këtij klubi ka mundur të arrijë marrëveshjen me Palermon për marrjen e futbollistit në formë huazimi me të drejtën e blerjes së 50% të kartonit të sulmuesit, i cili gjatë sezonit të kaluar ka luajtur në fillim me Padovën dhe më pas me Piaçencën. Cani ka mbërritur gjatë mbrëmjes së djeshme në Fiumalbo, ku po zhvillon fazën përgatitore Modena dhe më pas është vënë në dispozicion të trajnerit Bergodi. Të dielën pritet që të jenë në fushë në orën 17.00, ku Mordena do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Equipe Romagna. Shqiptari konsiderohet si një futbollist premtues për të ardhmen dhe prandaj është konsideruar si një përforcim shumë i mirë për skuadrën modeneze. Për Canin ishin interesuar shumë skuadra të tjera nga Seria A dhe B, por Palermo zgjodhi ofertën më të leverdishme.
#