E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bomba makinave të ambasadave

Athina është zgjuar nga pesë shpërthime të njëpasnjëshme në katër prej lagjeve rezidenciale të saj. Sulmet, për të cilat fajësohen organizatat anarkiste, filluan rreth mesnatës në lagjen "Pagrati", për të vazhduar dy kilometra më tej, në lagjen "Ambeloqipi", më pas në "Halandri" dhe "Zografo". Shpërthimi i parë u shënua në orën 00:00. Sipas policisë vendase, nëntë makina u shkatërruan plotësisht, ndërsa 5 të tjera pësuan dëme të rënda materiale. Burime në drejtorinë e policisë së Atikës thanë se goditjet ishin të mirorganizuara. Çdo 20 minuta dhe me shpërndarje të tillë që të krijonin konfuzion mes radhëve të policisë. Synimi i organizatave të ekstremit të majtë, të cilat morën përsipër edhe autorësinë, mendohet të jetë pozicioni evropian në çështjen e Kosovës. Kjo, pasi të gjitha makinat e dëmtuara janë me targa diplomatike. Ato janë prona të ambasadave perëndimore të atashuara në Athinë. Që prej të shtunës së kaluar, policia helene ka kaluar në gjendje alarmi të kuq. Madje, me një shkresë zyrtare, Ministria e Brendshme greke ka njoftuar Ambasadën Amerikane, britanike, gjermane dhe ato të vendeve të tjera perëndimore, që të marrin masa emergjente sigurie për shmangien e sulmeve të mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›