Tirana, dominim në fazën e dytë me ritme kampionësh
Tirana tashmë është kthyer në rrugën e titullit dhe statistikat e fillimit të fazës së dytë e tregojnë më së miri një gjë të tillë. Skuadra e drejtuar nga Astrit Hafizi është e vetmja që po ecën e pandalshme në rrugën e saj, duke regjistruar tri fitore në po aq ndeshje, ashtu si asnjë ekip tjetër pretendent për titullin në këtë edicion. Një ndryshim mjaft i ndjeshëm po të krahasohet me fazën e parë, ku pas tri ndeshjeve të para ishin tri skuadra me pikë të plota, Dinamo, Besa dhe Partizani. Kjo tregon se bardheblutë kanë bërë një rritje të ndjeshme, ndërsa kundërshtarët e saj kanë humbur paksa terren gjatë kësaj faze, duke u mundësuar bardhebluve rikuperimin e distancës së krijuar. Më keq ndër të gjithë është Besa, që në këto tri ndeshje të fazës së dytë është e vetmja skuadër që ka regjistruar 0 pikë, duke bërë që të harrohet krejtësisht starti i kampionatit kur me 9 pikët radhazi u cilësua skuadra për t‘u mundur.
Me fillimin e fazës së dytë duket qartë që Tirana ka rigjetur ritmin dhe po ecën e pandalshme, duke regjistruar tri fitore ndaj Flamurtarit (2-0), Shkumbinit (2-0) dhe Skënderbeut (3-2). Normalisht, këto skuadra janë më të lehta në letër po të krahasohen kontingjentet e tyre me atë të bardhebluve. Por nuk duhet harruar se pikërisht përballë këtyre ekipeve, Tirana arriti vetëm 3 pikë në fazën e parë (2-0) ndaj Shkumbinit, ndërsa u mund nga Flamurtari (1-0) dhe Skënderbeu (4-3). Duket se pikërisht ky fillim i fazës së dytë ka bërë që Tirana të rifitojë pozitën e pretendentes në këtë sezon, pasi tashmë është vetëm 6 pikë nga kreu i klasifikimit që mbahet nga Dinamo. Blutë vazhdojnë të ecin me ritme normale, duke qenë ndër skuadrat me një fillim më të mirë të fazës së dytë. 7 pikët e siguruara në këto tri javë, barazimi është ai pa gola ndaj Vllaznisë, bëjnë që blutë të vazhdojnë të mbeten pretendentë kryesorë për titullin. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, skuadra e drejtuar nga Agim Canaj mund t‘u shkëputet më tej kundërshtarëve direkt në javët në vazhdim. Përmirësim në këtë fazë të dytë ka pasur Elbasani, i cili në tri ndeshjet e para ka marrë 6 pikë, 2 më shumë se në të njëjtat takime të fazës së parë. Kjo i ka ndihmuar verdheblutë t‘u bashkohen skuadrave të kreut dhe të shihen si pretendentë jo vetëm për renditjen në zonën e Kupave të Evropës. Një përmirësim i ndjeshëm edhe për Vllazninë, që me 5 pikët e siguruara në këtë fazë, ka lënë pas fillimin e dobët të kampionatit kur mori vetëm një pikë në tri ndeshje. Gjithsesi, problematik mbetet fakti që në 6 ndeshjet e para të të dyja fazave, Vllaznia ka siguruar vetëm 6 pikë. Partizani është një nga skuadrat që ka humbur terren në fazën e dytë, për faktin se ka vetëm 5 pikë në krahasim me 9 të regjistruara në tre takimet e fazës së parë. Ana e vetme pozitive për skuadrën e Likës është se në përballjet me rivalët direktë është shumë e vështirë të mundet, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. Mes "të voglave" përmirësim ka bërë Besëlidhja, e cila ka arritur në këtë fazë të dytë të marrë tri pikë, në ndryshim nga 0 pikët e fazës së parë.