E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të Tokës së Premtuar

Të paktën 51 emigrantë klandestinë nga Afrika dhe Lindja e Mesme u mbytën, kur një anije me të paktën 80 persona në bord u fundos të shtunën në brigjet turke të Egjeut, njoftoi dje televizioni CNN Turk. Gjashtë persona, ndër të cilët dy palestinezë, u shpëtuan dhe u dërguan në spital, deklaroi Orhan Sefik Guldibi, guvernatori lokal i provincës bregdetare të Izmirit, për agjencinë e lajmeve "Anadolli Axhans". Helikopterët dhe varkat e shpëtimit vazhdojnë ende kërkimet për gjetjen e emigrantëve që rezultojnë të zhdukur. Dhjetëra trupa të pajetë kanë dalë tashmë në brigjet turke. Roja bregdetare e Turqisë, që më herët kishte njoftuar për 32 të vdekur, deklaroi se në anijen afro 20 metra të gjatë mendohet se gjendeshin të paktën 85 persona. Burimet zyrtare cituan dëshmitë e të mbijetuarve që deklaruan se anija ishte mbytur pranë një vendi që ata menduan se ishte një ishull grek. Guvernatori Guldibi deklaroi se klandestinët ishin palestinezë, somalezë dhe irakianë. Turqia është një pikë kryesore transiti për emigrantët e paligjshëm, që synojnë vendet e Bashkimit Evropian. Shpesh klandestinët preferojnë të kalojnë në rrugë tokësore nga Turqia në Greqi, ose me anije të thjeshta drejt ishujve grekë apo italianë, duke vënë në rrezik jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›